Meta dekreton shtyrjen e fiskalizimin: Kuvendi duhet të kishte vlerësuar më mirë afatet kohore

5 Gusht 2020, 18:54| Përditesimi: 5 Gusht 2020, 18:59

  • Share

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar shtyrjen e fiskalizimit, që pritej të fillonte gradualisht në shtator 2020 dhe është shtyrë për në 2021. Shtyrja e saj është bërë disa herë për shkak të pandemisë dhe kohës që u duhej subjekteve për t`iu përshtatur infrastrukturës që kërkon regjimi i ri ligjor.

Me dekretimin e 3 ligjeve që bëhen për shtyrjen e fiskalizimit, Meta cilëson se qeveria duhet të kishin vlerësuar më mirë të gjitha të dhënat faktike për përcaktimin e afateve kohore realiste, duke shmangur kështu nevojën e amendimeve të vazhdueshme të ligjeve të miratuara rishtaz.

"Sot, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, ka dekretuar me shpallje  ligje të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë:

1) Ligjin nr. 108/2020 “Për një ndryshim në ligjin nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit””.

2) Ligjin nr. 109/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 4/2020, “Për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare””.

3) Ligjin nr. 110/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Përmes këtyre 3 ligjeve shtyhen afatet e fillimit të efekteve ligjore për vënien në funksionim të plotë të sistemit të ri të monitorimit të qarkullimit dhe afatet për raportim nga subjektet që kanë detyrim deklarim sipas kuadrit të ri ligjor. Këto tre ndërhyrje në ligjet ekzistuese, janë dekretuar me shpallje, për të respektuar nevojën e institucioneve dhe njëkohësisht edhe të subjekteve për më shumë kohë, për t`iu përshtatur infrastrukturës që kërkon regjimi i ri ligjor. Presidenti i Republikës, evidenton se, Ministria e Financave, Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi,  në ndërmarrjen e nismave dhe miratimin e ligjeve bazë, duhet të kishin vlerësuar më mirë të gjitha të dhënat faktike për përcaktimin e afateve kohore realiste, duke shmangur kështu nevojën e amendimeve të vazhdueshme të ligjeve të miratuara rishtaz", shkruan Meta.

E parashikuar të niste më janar 2020, me kërkesë të bizneseve për shkak të kohës së paktë që kishin në dispozicion, fiskalizimi u shty për në mars 2020, ndërsa u shty sërish për shkak të pandemisë në 1 shtator 2020.  Me vendim të qeverisë është shtyrë sërish për në 2021, që u dekretua ditën e sotme edhe nga Presidenti Meta.

Fiskalizimi është një proces që do të ndryshonte tërësisht mënyrën se si bizneset e bëjnë procesin e faturimit dhe do i detyronte bizneset të përshtateshin me teknologjinë e re ku gjithçka të kalonte online.

Presidenti Meta ka dekretuare dhe ligjin për "Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë”. Në arsyetimin e tij. Presidenti shkruan se çdo nismë ligjore që synon realisht përafrimin e legjislacionit shqiptar në përgjithësi dhe atij në fushë e transportit ajror në veçanti, në përputhje me Acquis të Bashkimit Europian, mirëpritet nga Presidenti i Republikës.

"Kur ndryshimet në legjislacionin e brendshëm synojnë të përmbushin një pjesë të detyrimeve të Marrëveshjes për Krijimin e Zonës së Përbashkët Evropiane të Aviacionit Civil. Shqipëria si shtet anëtar i ICAO-s (Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil) dhe si aspirant për t’u asociuar në EASA (Agjencia e Bashkimit Evropian për Sigurinë në Operim të Aviacionit), ka detyrimin e përmirësimit të legjislacionit për përdorimin e hapësirës ajrore shqiptare në mbrojtje të sigurisë në fluturim dhe të të drejtave e interesave të pasagjerëve", thekson Meta.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?