Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka ndarë në Facebook një poezi të famshme arbëreshe, dhe sipas tij është tepër frymëzuese. Meta shkruan se teksti i saj këndohet çdo të dielë, si lutje, në meshën që mbahet në Kishën Ortodokse Arbëreshe të Shën Athanasit në Romë.
''O mburonjë e Shqipërisë" është një nga poezitë më të bukura dhe frymëzuese arbëreshe, që kam lexuar.
Më e veçantë ajo bëhet kur mëson se teksti i saj këndohet çdo të dielë, si lutje, në meshën që mbahet në Kishën Ortodokse Arbëreshe të Shën Athanasit në Romë.
Duke e ndarë me ju këtë poezi, një hymn për mbrojtjen e Shqipërisë dhe ku aq bukur vargjet lartësojnë BESËN, këtë vlerë të shenjtë e të çmuar, tipar dallues të kombit tonë, u bashkohem sot lutjeve të arbëreshëve që Zoti t'i bekojë shqiptarët dhe familjet e tyre kudo ndodhen.
O MBURONJË E SHQIPËRISË
O mburonjë e Shqipërisë, Virgjëreshëz e dëlirë,
Mëma e lartë e Perëndisë, çë na jep këshill të mirë.
Ti çë ruajte gjyshrat t'anë, të mos zbirjën shëjten besë, te ku ndodhen edhe janë, Arbëreshëvet kij kujdes.
Kij kujdes për ne të mjerët, zogj të varfër e pa furrik, kij kujdes edhe për t'jerët, çë po vuajën nën armik.
Ti çë ruajte gjyshrat t'anë, të mos zbirjën shëjten besë, te ku ndodhen edhe janë, Arbëreshëvet kij kujdes.
Sot edhe si kurdoherë, na dhez zëmbrën një dëshir,
Arbëreshë e të Krështerë, të kjëndrojëm për gjithë monë.
Ti çë ruajte gjyshrat t'anë, të mos zbirjën shëjten besë, te ku ndodhen edhe janë, Arbëreshëvet kij kujdes.
Sa t'i falemi t'in Zoti, po me gluhën çë na dhe, si dhe i falej Kastrioti, e gjëria nga rrjedhim na.
Ti çë ruajte gjyshrat t'anë, të mos zbirjen shëjten besë, te ku ndodhen edhe janë, Arbëreshëvet kij kujdes.'- shkruan Meta.
Lajmi kryesor:
Meta në meshën e Kishës Ortodokse Arbëreshe në Romë: Emocion i veçantë! Traditë që së bashku me kulturën trashëgohen brez pas brezi dhe ruhen deri sot
M.Q./ReportTv.al