Margarita Buhalidhe Enton Dhimitri

Gjykata e Lartë bëhet me 15 anëtarë, Meta emëron Margarita Buhalin dhe Enton Dhimitrin

15 Qershor 2022, 11:03| Përditesimi: 15 Qershor 2022, 11:30

  • Share

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar emërimin e Margarita Buhalit dhe Enton Dhimitrit, si gjyqtare në Gjykatën e Lartë, të propozuara nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Me emërimin e Buhalit dhe të Dhimitrit, Gjykata e Lartë bëhet me 15 anëtare nga 19 që ka në përbërje.

‘Presidenti Meta, pasi u njoh me vendimmarrjet respektive të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe propozimet e përcjella nga ky organ, së bashku me praktikat dokumentare të ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për dy pozicionet e lira në fushën e të drejtës civile, të shpallura për kandidim që prej muajit shkurt 2020, me vullnetin e plotë që Gjykata e Lartë të plotësohet me të gjithë trupën e nevojshme të saj, ku me mijëra dosje e fate qytetarësh presin gjykimin prej vitesh, si dhe duke vlerësuar të mirëqenë verifikimin dhe vlerësimin prej KLGJ-së për dy kandidaturat e propozuara, ka vendosur të shprehet pa vonesë për pranimin e propozimeve të KLGJ-së.

Për këto arsye, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136 të Kushtetutës, nenit 48, pikat 11 dhe 13, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Presidenti Meta, përfundimisht ka pranuar propozimet e KLGJ-së, dhe:

Me Dekretin nr. 13697, datë 14.06.2022, ka vendosur që znj.Margarita Buhali të emërohet gjyqtare e Gjykatës së Lartë;

Me Dekretin nr. 13698, datë 14.06.2022, ka vendosur që, z.Enton Dhimitri të emërohet gjyqtar në Gjykatën e Lartë. ‘- njofton presidenca.

Kujtojmë se nga 3 qershori Gjykata e Lartë u bë me 13 anëtarë me emërimin nga Presidenti i Republikës të gjyqtarit Sokol Ngresi, duke plotësuar kështu kuorumin për tu mbledhur dhe për të gjykuar në Kolegjet e Bashkuara. Pas 5-vitesh pamundësie për të ushtruar plotësisht funksionet themelore të saj, edhe me këto 2 (dy) emërime të reja, mund të thuhet se Gjykata e Lartë ka dalë nga zona e rrezikut dhe e pamundësisë së funksionalitetit të plotë të saj për të përmbushur misionin dhe autoritetin sublim sipas Kushtetutës dhe ligjit.

Kështu që Gjykata e Lartë rikthehet në funksionalitet për të shqyrtuar çështje në Kolegje të Bashkuara dhe për të përmbushur plotësisht misionin dhe autoritetin e saj sublim për çështje që kanë nevojë për kuptimin dhe unifikimin e zbatimit të ligjit, duke i siguruar kështu të gjithë sistemit gjyqësor zhvillimin/ndryshimin e praktikës gjyqësore, unifikimin e jurisprudencës, dhe një qëndrim uniform lidhur me çështje të ndryshme juridike në funksion të interesit publik, në respektim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në dhënien e drejtësisë.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?