Aplikacionet, Instagram dhe Messenger

Bota

Meta forcon masat e sigurisë për adoleshentët në Instagram, Facebook dhe Messenger

8 Prill, 17:40| Përditesimi: 8 Prill, 17:49

  • Share

Kompania Meta ka vendosur të zgjerojë masat e saj të sigurisë për të miturit në rrjetet sociale, duke bllokuar funksionin e transmetimit live (livestreaming) në Instagram për përdoruesit nën 16 vjeç, nëse nuk kanë miratimin e prindërve. Gjithashtu, prindërit do të kenë fjalën e fundit nëse fëmijët e tyre duan të çaktivizojnë funksionin që errëson imazhet me përmbajtje të dyshuar nudoje në mesazhet private.

Këto ndryshime vijnë paralelisht me zgjerimin e sistemit të llogarive për adoleshentët nga Instagrami edhe në platformat Facebook dhe Messenger. Ky sistem u prezantua vitin e kaluar dhe, në mënyrë automatike, vendos kufizime për përdoruesit nën 18 vjeç, duke i dhënë prindërve mundësinë të vendosin kufij për kohën e përdorimit të aplikacionit, të bllokojnë përdorimin në orare të caktuara dhe të shohin me cilët persona po shkëmbejnë mesazhe fëmijët e tyre.

Llogaritë për adoleshentët në Facebook dhe Messenger do të implementohen fillimisht në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Australi dhe Kanada. Përdoruesit nën 16 vjeç do të kenë nevojë për leje prindërore për të ndryshuar cilësimet e sigurisë, ndërsa ata të moshës 16 dhe 17 vjeç do të kenë mundësinë t’i modifikojnë vetë këto cilësime, megjithëse do të hyjnë automatikisht në versionin me kufizime.

Sipas Meta-s, më shumë se 54 milionë adoleshentë nën moshën 18 vjeç përdorin llogaritë e reja të sigurisë në Instagram, dhe mbi 90% e atyre të moshës 13 deri në 15 vjeç kanë ruajtur cilësimet e paracaktuara të sigurisë, raportojnë mediat. 

Organizata britanike për mbrojtjen e fëmijëve NSPCC përshëndeti zgjerimin e këtyre masave në Facebook dhe Messenger, por theksoi se Meta duhet të bëjë më shumë për të parandaluar shpërndarjen e përmbajtjes së dëmshme në platformat e saj.

"Për të qenë efektive, këto ndryshime duhet të shoqërohen me masa proaktive që ndalojnë përhapjen e përmbajtjeve të rrezikshme në Instagram, Facebook dhe Messenger," deklaroi Matthew Sowemimo, drejtues i politikave për sigurinë e fëmijëve në internet pranë NSPCC.

Njoftimi i Meta-s vjen në një kohë kur Mbretëria e Bashkuar ka filluar zbatimin e ligjit të ri për sigurinë në internet, i njohur si Online Safety Act. Ky ligj, që hyn në fuqi nga marsi, detyron të gjitha platformat digjitale – nga Facebook dhe Google, te Reddit dhe OnlyFans – të ndërmarrin masa për të parandaluar publikimin ose shpërndarjen e përmbajtjeve të paligjshme si abuzimi seksual me fëmijë, mashtrimet dhe materialet terroriste.

Ligji gjithashtu përmban dispozita për mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtje të dëmshme, siç janë ato që lidhen me vetëvrasjen apo vetëlëndimin. Javën e kaluar u raportua se ky ligj mund të zbutet si pjesë e një marrëveshjeje tregtare mes Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së, por kjo ngjalli reagime të forta nga organizatat për mbrojtjen e fëmijëve, të cilat paralajmëruan se çdo kompromis do të ishte "një shitje e turpshme" që nuk do të pranohej nga publiku.

 

H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nisi fushata zgjedhore për 11 majin, si e parashikoni?