Kronikë

Meta i pandehur për aferën CEZ-DIA, 'ortaku' i tij kërkon drejtësi! Kërkesa e Kastriot Ismailajt në Kushtetuese

8 Qershor, 14:17| Përditesimi: 8 Qershor, 15:21

  • Share

I vetmi i dënuar deri tani për skandalin me CEZ- DIA, teksa i pandehur është marrë edhe ish presidenti Ilir Meta, Kastriot Ismailaj nuk tërhiqet nga beteja me drejtësinë. Pasi ka humbur edhe në Gjykatën e Lartë, e cila një vit më parë vendosi të mos e pranonte rekursin e tij, Ismalaj kërkon pafajësi në Gjykatë Kushtetuese, edhe pse tashmë e ka lënë qelinë pas përfundimit të dënimit.  

Kushtetuesja e ka kaluar çështjen për shqyrtim në seancë plenare, që do të zhvillohet mbi bazë dokumentesh më 19 qershor. Kastriot Ismailaj është dënuar me 11 vite burg për mashtrim me pasoja të rënda dhe pastrim parash. Ndërsa i janë konfiskuar rreth 4.5 milionë euro në 5 llogari të ndryshme bankare.

Kastriot Ismailaj u arrestua në 12 maj të vitit 2015, pasi u vu nën akuzë nga Prokuroria e Tiranës se mori plot 6.5 mln dollarë nga kontrata e CEZ-DIA, për një shërbim të cilin nuk e ka kryer. Në një tjetër çështje, tashmë në ngarkim të një prej politikanëve më të rëndësishëm në vend, Ilir Metës, SPAK e konsideron Kastriot Ismailajn si njeriun e Metës në këtë aferë.

Historinë e aferës CEZ-DIA, SPAK e nis pikërisht me krijimin e kompanisë së Kastriot Ismailajt, “Debt Internacional Advisory” në offshore në “Virgin Island” më 5 korrik 2010, ndërsa dega në Shqipëri më 4 gusht të po atij viti. Ndërkohë që një marrëveshje me bordin e CEZ u firmos më 1 shtator. Pra as një muaj më pas. Duket qartë se Prokuroria këtu dyshon se qëllimi i krijimit të kësaj kompanie ka qenë pikërisht kjo marrëveshje.

Gjatë periudhës së krijimit të kompanisë dhe diskutimit për marrëveshjen, SPAK thekson se Ilir Meta dhe Kastrioti Ismailaj kanë komunikuar plot 115 herë me njëri-tjetrin, telefonata ose mesazhe, në vetëm 5 muaj. Jo vetëm kaq por Meta e merrte Ismajlajn me vete në mbledhjes e CEZ në Pragë, e bëri që të merrte pjesë në mbledhjes e Këshillit Mbikqyrës së CEZ-DIA por edhe Këshillit Mbikëqyrës të OSHE, edhe pse ligjërisht nuk i takonte. Ilir Meta kishte një objektiv, të përfitonte 10 milionë euro nga afera CEZ-DIA, thuhet në dosjen e SPAK, dhe për këtë do të shfrytëzonte Kastriot Ismailajn, i cili tashmë pret fjalën e Gjykatës Kushtetuese.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria barazoi me Serbinë, sa shanse ka për të shkuar në Botëror?