Emërimi në Kushtetuese/ PS-ja tërhiqet nga betimi i Vorpsit dhe nxjerr jashtë loje Metën, gjyqtarët në dorë të ILD-së, për 3 ditë vendimi

6 Shkurt 2020, 11:44| Përditesimi: 7 Shkurt 2020, 09:07

  • Share

TIRANE-Komisioni i Ligjeve miratoi sot me ndryshimet e propozuara dy prej ligjeve më të rëndësishme të reformës në drejtësi, ligjin për statusin e gjyqtarëve e prokurorëve dhe ligjin për betimet në Gjykatën Kushtetuese.  Sipas socialistëve, nëpërmjet ndryshimeve në ligjin për Gjykatën Kushtetuese krijohet një mekanizëm zhbllokues për betimin e magjistratëve të lartë, përfshi këtu anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, referuar përplasjeve të fundit mes Kuvendit dhe Presidencës për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Tashmë sipas formulimit të ri, gjyqtari i Kushtetueses fillon punën pasi betohet përpara Presidentit, ndërsa nëse nga nuk thirret nga ky i fundit, ia dërgon betimin me shkrim. Pra mazhoranca propozoi që të ndryshohej neni 2 i ligjit për betimet në Kushtetuese, që thoshte se nëse anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk thirret për bërë betimin brenda 10 ditëve në Presidencë, ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë Presidentit të Republikës. Por socialistët hoqën dorë nga ndryshimi i këtij neni me fuqi papavepruese, duke e hequr dorë kështu dhe nga këmbëngulja për të pasur anëtare të Gjykatës Kushtetuese Arta Vorpsin, nga ku lindi edhe debati që po sjell ndryshimet.

Në Komisionin e ligjeve u miratuan edhe ndryshimet që i japin kompetenca Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë të ndërhyjë kur për një gjyqtar ose prokuror ka akuza të besueshme. Kreu i ILD i drejtohet KLGJ dhe KLP të cilët brenda 3 ditëve duhet të japin vlerësimin e tyre. Kjo do të thotë se prokurorët dhe gjyqtarët janë në dorë të kreut të ILD-së. Në rast indicie apo denoncimi, kreu i ILD-së mund të hetojë gjyqtarët apo prokurorët dhe pasi krijon bindjen se ka shkelje brenda tre ditëve i drejtohet KLGJ-së apo KLP-së për fillimin e një procedimi disiplinor apo pezullim nga detyra.

Propozimi i ndryshimeve erdhi pas miratimit të aktit normativ anti-KÇK-së. Kryeministri Rama deklaroi pak ditë më parë nëse do të konstatohen vendime korruptive të gjyqtarëve apo prokurorëve atëherë do të denoncohen dhe brenda tre ditëve do të merret vendimi nga organet përkatëse KLP dhe KLGJ-së.  Kritikat më të shumta për këto ndryshime të propozuara nga socialistët erdhën nga vetë eksponentë të kësaj partie.

Këto ndryshime priten të miratohen në seancën e radhës në Kuvendin e Shqipërisë, javën e ardhshme. “Do duhet të jemi të kujdesshëm në këtë diskurs politik, qoftë në qasjen ndaj individëve që mos ia veshim sistemit, qoftë dhe ne si i qasemi problemit. Është tjetër gjë ta trajtosh fenomenin, rëndësinë e tij, pasojat e tij. Pavarësisht se në krye të këtij debate është vetë kryeministri", thotë Fatmir Xhafaj.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?