Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i arrestuar dhe paraburgosur prej 21 tetorit 2024, konfirmon se nuk do garojë në listat e mbyllura si kandidat për deputet në qarkun e Tiranës, duke iu kundërvënë jo vetëm propozimit të Sali Berishës dhe PD-së, por edhe planit të partive të mëdha për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe listat e mbyllura (PS dhe PD me votimin në Parlament).
Meta thekson se që prej vitit 2008 ka qenë kundër ndryshimeve Kushtetuese, pasi vranë parlamentarizmin, duke u shprehur pro listave të hapura në garën elektorale.
Meta thekson në rrjetin social Facebook me postimin e radhës, se ai “nuk krijoi parti për t’u bërë deputet, por për të garantuar rotacionin dhe për integrimin e vendit drejt Europës”.
Ai shton se edhe pse ndodhet në kushte ekstreme izolimi, do e drejtojë PL nga qelia në fushatën elektorale dhe për kauza të mëdha.
Postimi i Ilir Metës:
“Falenderoj Kryesinë e Partisë së Lirisë, që fillimisht më propozoi të isha kandidat për deputet në listat e mbyllura, por që mbrëmë miratoi kërkesën time, që Ilir Meta edhe pse në kushte ekstreme izolimi, do të jetë kandidat për deputet në listën e hapur të Qarkut Tiranë.
Partia e Lirisë (LSI) dhe Ilir Meta kanë qenë të parët për listat e hapura.
Ilir Meta bashkë me disa kolegë hynë në grevë urie në vitin 2008 kundër ndryshimeve kushtetuese, që sollën listat e mbyllura dhe vranë parlamentarizmin e vërtetë.
Ilir Meta në vitin 2005, për të gjithë ata që kanë humbur kujtesën, edhe pse kishte mundësinë të dilte deputet nëpërmjet sistemit proporcional, bëri një akt të rëndësishëm politik duke e vendosur veten vetëm në mazhoritar sepse për mua më i rëndësishëm ishte zhbllokimi i procesit europian të vendit se sa thjesht garantimi i një mandati deputeti.
Unë nuk krijova parti për t’u bërë deputet por për të garantuar rotacionin politik dhe për të zhbllokuar integrimin europian të vendit.
Edhe sot, për të gjithë ata që i kanë sytë në ballë dhe e panë rrëmbimin tim kriminal dhe që e dinë se ku ndodhem, u them se pavarësisht se jam në kushte ekstreme izolimi është detyra ime të udhëheq Partinë e Lirisë me shembullin tim dhe të luftoj me të gjithë fuqitë e mia për t’u treguar të gjithëve se kjo është një betejë që në radhë të parë kërkon sakrifica ekstreme për t’u fituar dhe jo llogari meskine afatshkurtra nga ata që mendojnë se politika është narativë apo perceptim.
Ilir Meta me shembullin e tij nga qelia Nr.5 tregon se lufton për kauza të mëdha dhe se nuk i tradhton kauzat që beson.
Mafia nuk luftohet duke vegjetuar apo duke pritur dhurata nga qielli.
I falenderoj të gjithë për mirëkuptimin dhe për mbështetjen në këtë betejë historike për fitoren e koalicionit “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, që është qëllimi ynë madhor. FITORE!”.
Komente
