Politikë

Meta kthen në Kuvend ligjin për ‘Për gjendjen civile’: Fut zgjedhjet në kaos, pasoja ligjore e politike

8 Nëntor 2020, 12:10| Përditesimi: 8 Nëntor 2020, 18:43

  • Share

Presidenti Ilir Meta kthen në Kuvend ligjin për  ‘Për gjendjen civile’, në lidhje me deklarimin e vendbanimit.

Meta thotw se ndërhyrja në ligjin e gjendjes civile, ka pasoja ligjore dhe politike. Në 9 faqe arsyetim, Meta shton se ndryshimet e bëra në ligj në këtë fazë të procesit zgjedhor, kanë potencialin për të krijuar kaos në hartimin e listave të zgjedhësve, si dhe mund të influencojë dhe cënojë rëndë përfaqësimin parlamentar. Kreu i shtetit argumenton se përmes këtij ndryshimi i hapet mundësia maxhorancës që të transferojë njerëz në ato zona ku e ndjen veten të dobët politikisht.

"Një ndryshim i tillë, krijon kaos në hartimin e listave të zgjedhësve. Ndërhyrja e papritur në ligjin bazë të gjendjes civile siç propozohet, duke e vlerësuar ndikimin e qënësishëm që mund të ketë në procesin zjedhor, nuk është në momentin e përshtatshëm dhe do të ketë pasojë ligjore dhe politike", thuhet mes të tjerash në arsyetim.

Arsyet e kthimit të ligjit:

Pra sipas kësaj ndërhyrje, shkelja ose mosrespektimi i dispozitës së përcaktuar në pikën 3, të nenit 15, që dënohej me gjobë, në masën 10 000 lekë, dhe me pezullim të shërbimit deri në vjeljen e gjobës, të cilën e vendos dhe e vjel nëpunësi i gjendjes civile, shfuqizohet.

Është për t`u theksuar se, dispozita që sot pretendohet të shfuqizohet, pra rregullimi ligjor sipas shkronjës “ç”, të pikës 1, të nenit 74, është një rregullim i sjellë si paketë ndër disa rregullime të tjera, nëpërmjet ligjit nr. 134/2016, datë 22.12.2016. Me vendosjen e dispozitës është synuar disiplinimi i shtetasve për deklarimin e vendbanimit dhe/apo vendqëndrimit të tyre, pas përkufizimit të termit dhe specifikës së cilën mbart ky term.

Ndërkohë sot, arsyetimi i ndërmarrjes së kësaj nisme si nga nismëtarët (deputetët propozues) apo dhe nga Komisioni përgjegjës në Kuvendin e Shqipërisë mbështetet në qëllimin për pasjen e të dhënave reale të regjistrimit të shtetasve, e cila do të përmirësohet në kuadër të ndjekjes së një qasje/metodologjie të re liberale, duke mos aplikuar më masa shtrënguese në procedurat që do të zbatohen nga zyrat e gjendjes civile.

Në raportin e Komisionit përgjegjës citohet ndër të tjera se:

“Ndryshimi i propozuar për heqjen e kësaj mase ndëshkuese ndaj shtetasve, synon të sjellë një efekt të menjëhershëm në regjistrimin e venbanimit real të qytetarëve dhe për pasojë një studim nga ana e pushtetit qëndror dhe atij vendor për shpërndarje të drejtë të investimeve dhe investime më të larta në ato zona ku venbanimi është më i madh se ai që rezulton aktualisht në Regjistrin e Gjendjes Civile.”

Pas studimit të relacionit të deputetëve propozues, raportit të komisionit përgjegjës, si dhe përmbajtjes së ligjit nr. 130/2020, të miratuar, Presidenti i Republikës, arrin në konkluzionin se:

Kuvendi i Shqipërisë, nuk ka zgjedhur mënyrën më të mirë dhe të balancuar për të materializuar arritjen e qëllimit që synon përmes kësaj ndërhyrjeje legjislative të bërë në këtë formë.

Duke dashur disiplinimin e kësaj kategorie sjelljeje të qytetarëve për një të dhënë kaq sensitive dhe të dosmosdoshme, Kuvendi pas adresimit të çështjes nga propozuesit dhe komisioni përkatës shqyrtues, duhet të gjejë rrugën e duhur për të shmangur përdorimin e ndryshimit të ligjit për qëllime të përfitimit politik të mazhorancës qeverisëse.

Një ndryshim i tillë, në këtë fazë të procesit zgjedhor, ka potencialin për të krijuar kaos në hartimin e listave të zgjedhësve, në procesin e votimit dhe për pasojë, do të minonte edhe më shumë besueshmërinë e vet procesit zgjedhor në tërësi duke sjellë pasoja politike, nxitjen e kontestimeve administrative dhe gjyqësore dhe për pasojë, acarimin e jetës shoqërore në vend.

Ndërhyrja e papritur në ligjin bazë të gjendjes civile siç propozohet, duke e vlerësuar ndikimin e qënësishëm që mund të ketë në procesin zjedhor, nuk është në momentin e përshtatshëm dhe do të ketë pasojë ligjore dhe politike.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 38/1, parashikon se “kushdo ka të drejtë të zgjedhë vendbanimin si dhe të lëvizë lirisht në çdo pjesë të territorit të shtetit”.

Këtë të drejtë kushtetuese për të zgjedhur vendbanimin e tij e gëzon kushdo, ndërkohë që, saktësia e të dhënave të vendbanimit të shtetasve në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile është ngushtësisht e lidhur me realizimin e procesit të përditësimit të këtyre të dhënave, që krijohen pikërisht nga ushtrimi i kësaj të drejte.

Ligji ka parashikuar një sistem aktiv përditësimi nga ana e shtetasve, sipas të cilit shtetasi ka lirinë të zgjedhë vendbanimin, por ka njëkohësisht dhe detyrimin ligjor ta deklarojë dhe regjistrojë atë në zyrën e gjendjes civile ku ndodhet vendbanimi ku shtetasi ka zgjedhur lirisht të jetojë/banojë.

Ky detyrim i shtetasve nuk është deklarativ por është i lidhur me sanksione ligjore konkrete. Ligji parashikon që përveç gjobës, shtetasit i ndërpriten edhe shërbimi në gjendjen civile. Këto sanksione dhe masa shtrënguese janë vendosur si masa shtesë që të detyrojnë shtetasin, si rregull, të kryejë veprimet e nevojshme në lidhje me regjistrimin e vendbanimit.

Ndërkohë, heqja e sanksioneve dhe masave shtrënguese sipas propozimit në ligjin nr. 130/2020, do ta kthente detyrimin e shtetasit të parashikuar në nenin 14, dhe 15, pika 3, të ligjit bazë në një detyrim deklarativ plotësimi i të cilit do të varej vetëm nga vullneti i shtetasve, duke dobësuar kështu dhe mundësinë e autoritetit publik për përditësimin e të dhënave.

Nëse propozimi për shfuqizimin e dispozitës do të ishte realisht në përgjigje të sjelljes neglizhente të shtetasve, apo për cilëndo tjetër arsye që pamundëson deklarimin e vendbanimit të tyre në këto raste, Kuvendi duhej të vlerësonte hapësira të tjera për të lehtësuar pozitën e shtetasve që kanë shkelur afatin e parashikuar nga ligji, dhe nxitjen e tyre për deklarimin e vendbanimeve siç dhe ligji parashikon.

Dekreti i kthimit të ligjit

(Kliko ketu per te lexuar arsyet e kthimit të ligjit)

/B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Niku: 08/11/2020 13:37

    Pperse nuk e arrestoni kete kelysh k..ve hajdut president..

    Përgjigju
    • Tani: 08/11/2020 21:22

      Pse nuk po i botoni replikat ?!!

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, a e keni vendosur për cilën parti do votoni?