Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur marrjen e presidencës së BE për 6 muaj nga Gjermania duke kujtuar eksodin e shqiptarëve në 2 korrik të 1990 që hynë në ambasadën gjermane për të shpëtuar nga komunizmi.
Duke e shoqëruar postimin me një foto të 30 viteve më parë ku shqiptarët hynë në ambasadën Gjermane për një jetë të re dhe të lirë, Meta thekson se sot pas 30 vitesh në emër të këtyre sakrificave duhet që vendi të ecë para me integrimin dhe gjatë presidencës së Gjermanisë, është mundësia më e shkëlqyer për vendin. Meta shprehet se ka ardhur koha për të përmbushur ëndrrën e çdo qytetari për ta bërë Shqipëria si gjithë Europa.
"Kjo foto është shkrepur 30 vjet më parë brenda Ambasadës gjermane në Tiranë, ku rreth 3200 shqiptarë nisën një jetë të re në liri. Hapja e dyerve të Ambasadës gjermane goditi në zemër diktaturën më të egër në Europë. 30 vite më pas, në emër të këtyre sakrificave të jashtëzakonshme njerëzore duhet të përmbushim sa më parë të gjitha kushtet, që të nisim negociatat e anëtarësimit me BE gjatë Presidencës gjermane. Presidenca gjermane e BE është një mundësi e shkëlqyer, dhe një sprovë e vërtetë për çdokënd që për Shqipërinë Europiane jo vetëm flet por edhe punon. Mirënjohje të gjithë shqiptarëve që me guximin e tyre 30 vite më parë i dhanë Shqipërisë një drejtim të ri. Koha për të përmbushur ëndrrën e çdo qytetari: Shqipëria si gjithë Europa. Koha për kthimin e shqiptarëve në vendin e tyre", shkruan Meta.
Shqiptarët që hynë më 2 korrik 1990 në Ambasadën Gjermane
Lajmi kryesor: