Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kujtuar sot 21-vjetorin e çlirimit të Kosovës, duke falenderuar NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas kreu i shtetit shqiptar, NATO dhe SHBA, çështjen e lirisë së Kosovës, e bënë çështje të dinjitetit të tyre.
"Sot, në 21-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, kujtojmë me nderim të jashtëzakonshëm jetën dhe veprën lapidare të Presidentit historik Ibrahim Rugova dhe Komandantit legjendar Adem Jashari, djemtë dhe vajzat e UÇK-së, si dhe dhjetëra e mijëra Heronj e Dëshmorë që dhanë jetën për Kosovën Republikë, në paqe, të lirë, të pavarur, sovrane dhe demokratike, me orientim të qartë perëndimor, në bashkëpunim e fqinjësi të mirë me të gjithë në rajon. Përjetë mirënjohës dhe falenderues për NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara, që çështjen e lirisë së Kosovës, e bënë çështje të dinjitetit të tyre", shkruan në Facebook, Presidenti Ilir Meta.
Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.