Në prani të kryetarit të bashkisë Lushnje Fatos Tusha, përfaqësuesve të pushtetit vendor, të shoqatës “Myzeqja” dhe të qendrës së artit “Vaçe Zela”, historianëve, shkrimtarëve dhe personaliteteve të ftuara, presidenti Ilir Meta ka nderuar sot në Shtëpinë historike të Kongresit të Lushnjes atdhetarin Abaz Bej Lushnja (pas vdekjes) me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributeve të shquara atdhetare si një nga drejtuesit kryesorë të kryengritjeve antiosmane në Shqipërinë e Jugut në fillim të shekullit XIX”.
Në fjalën e rastit Meta u shpreh: “Jam i lumtur të jem sot në Lushnjen tonë historike, në këtë vit kaq të rëndësishëm të 100-vjetorit të Kongresit Historik Kombëtar të Lushnjës, një nga ngjarjet më madhore të kombit shqiptar.
Lushnja, vendlindja dhe djepi i shumë patriotëve të shquar, të cilët luftuan dhe u përkushtuan denjësisht në çlirimin e vendit nga armiq të ndryshëm, për pavarësinë e Shqipërisë, për gjuhën dhe flamurin tonë, dhe për ndërtimin e shtetit modern shqiptar, meriton edhe më shumë vëmendje në të ardhmen.
Sot kam nderin që në këtë qytet historik të dekoroj një nga figurat më patriotike, më të spikatura e të dashura nga populli i Lushnjes, Abaz Bej Lushnja, me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”: “Për kontributin e shquar atdhetar, si një nga drejtuesit kryesorë të kryengritjeve antiosmane, në Shqipërinë e Jugut në fillim të shekullit XIX”
Abaz Bej Lushnja ishte dhe vlerësohej nga bashkëkohësit e tij si një njeri i drejtë e i gjerë, i vendosur dhe i prerë.
Ai dallohej për shpirtin e gjerë human, duke ndarë edhe bukën me fukaranë. Për myzeqarët, ai ishte beu trim dhe kapedan.
Por mbi të gjitha ishte një atdhetar dhe patriot i jashtëzakonshëm që e donte Shqipërinë.
Abaz Bej Lushnja nga familja e Ngurzajve dha një kontribut të madh e të vyer si kryetar i Lidhjes Politike–Ushtarake, e njohur si “Besëlidhja e Nëntë Krahinave”, e themeluar në Berat në vitin 1834.
Kryengritjet shqiptare kundër shtypjes kombëtare patën në fillim karakter lokal, por, shumë shpejt ato u shndërruan dora-dorës në kryengritje të gjera të fuqishme duke përfshirë krahina të tëra të vendit.
Ato shprehën prirjen e popullit shqiptar jo vetëm për liri, por edhe për arritjen e saj përmes bashkimit.
“Besëlidhja e Nëntë Krahinave” nuk ishte thjesht e vetëm një lidhje ushtarake ndërkrahinore, por me të drejtë kujtohet në histori edhe si shembull i Besëlidhjes së Lezhës të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, njëkohësisht edhe si një pararendëse e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Prijësit e saj më të guximshëm, si Abaz Bej Lushnja, Tafil Buzi, Zyber Hoxha e të tjerë synonin lirinë dhe pavarësinë e vendit, që do vinte disa dekada më vonë falë kësaj fryme dhe përpjekjesh të panumërta të të gjithë patriotëve të shquar të vendit tonë.
Figura e Abaz Bej Lushnjës është qendrore dhe shumë e rëndësishme në historinë dhe lëvizjet patriotike të shekullit të 19-të, që i paraprinë Rilindjes Kombëtare.
Ndaj është privilegj për mua si President i Republikës që t’i akordoj dekoratën “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, të flamurit tonë të bukur e krenar, për të cilin patriotë të vërtetë si Abaz Bej Lushnja, e shumë të tjerë, luftuan e u përpoqën që ai të valëvitet i lirë dhe i pavarur në ditët tona.
Nderim dhe mirënjohje të thellë për të gjithë patriotët tanë ndër shekuj, falë sakrificave sublime e të jashtëzakonshme të të cilëve, Shqipëria është sot një vend i lirë, i pavarur, sovran dhe i vendosur europian siç na takon!"