Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Metaj, ka “shigjetuar” nga burgu ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, lidhur me masën e paraburgimit, që sipas tij keqpërdoret nga gjykatat, si dhe kushtet në këto institucione të vuajtjes së dënimit.
Përmes një audio-mesazhi, Metaj shprehet se gati 2/3 e qytetarëve, që janë sot në burgje, janë të paraburgosur dhe mbi 1/3 e tyre pa asnjë akuzë.
“Ministri famoz i Drejtësisë, ai i “Dosjes 184”, të krimeve elektorale të Dibrës, i cili duhet të ishte sot në qeli, duke vuajtur dënimin e tij për krimin elektoral që tronditi edhe mediat europiane, Bundestagun dhe Parlamentin Europian dhe që bllokoi për vite të tëra integrimin.
Por ai ishte dje në emision, duke mashtruar publikisht për situatën dramatike në burgjet shqiptare, ku abuzimi me paraburgimin ua kalon edhe vendeve më diktatoriale afrikane.
Gati 2/3 e qytetarëve, që janë sot në burgje, janë të paraburgosur dhe mbi 1/3 e tyre pa asnjë akuzë.
Nëse mesatarja në vendet e Bashkimit Europian, është 22–25% e totalit të popullsisë në burgje, në Shqipëri, kjo mesatare është gati 3 herë më e lartë, duke sjellë një mbipopullim të theksuar dhe kushte skandaloze.
Numri ekstremisht i lartë i të paraburgosurve, është një nga treguesit më demaskues të regjimit policor dhe arbitrar të Edi Ramës, që s’ka asnjë lidhje me shtetin e së drejtës dhe standardeve europianë të drejtësisë.
Ky numër kaq i lartë i të paraburgosurve në Shqipëri, dëshmon abuzimin e hapur me paraburgimin, që përdoret si mjet penal përpara se të ketë vendim gjykate, gjë që e bën inekzistent parimin e pafajësisë deri sa të provohet faji.
Kjo sjell zvarritje pa fund të proceseve gjyqësore dhe këtu, për fat të keq ka njerëz, që janë marrë në pyetje vetëm një herë, gjatë dy viteve paraburgim dhe pa asnjë akuzë.
Ndaj, jo vetëm “Amnesty International”, por edhe Këshilli i Europës edhe Komiteti për Parandalimin e Torturës, e kanë kritikuar vazhdimisht Shqipërinë, për situatën e rëndë në burgje, për mungesën e transparencës së trajtimit të ankesave të të burgosurve, për mungesën e stafit mjekësor dhe terapeutik, që ka çuar deri në kushte të trajtimit çnjerëzor për qindra të paraburgosur me probleme shëndetësore.
Vetëm duke votuar për “Aleancën për Shqipërinë Madhështore”, Shqipëria do të përmbushi standardet europiane të të drejtave të njeriut dhe do të garantojë një sistem të drejtë dhe human të drejtësisë penale.
Si mund të shqetësohet për të drejtat e njeriut në burgje, një Kryeministër, që 12 vite më parë premtoi shëndetësi falas , ndërsa tani edhe “Amnesty International” , siç u detyrua ditët e fundit, theksoi trajtimin çnjerëzor të qytetarëve të lirë, siç e dinë të gjithë dhe të sëmurë, jo vetëm tek Onkologjiku.
Statistikat skandaloze me mijëra të paraburgosur, ku mbi një mijë prej tyre nuk kanë akuzë, nuk e fshehin faktin se qëllimisht janë lëshuar fletë-arrest fiktive, ndërkohë që duhet të ishin ndaluar prej kohësh për kriminelë elektoralë të provuar nga përgjimet ndërkombëtare, të cilët sot veprojnë për llogari të Edi Ramës, në Elbasan, në Durrës, në Lezhë, në Shkodër dhe në zona të tjera.
Por më 11 Maj, ata të gjithë do të marrin përgjigjen e merituar, ne do të rishikojmë Kodin Penal, në përputhje me standardet europiane dhe qindra të paraburgosur, do të hetohen në liri.
Nuk do ketë më zvarritje të proceseve hetimore dhe gjyqësore.
Ndërkohë në burgje, me prioritet, do të vijnë kriminelët elektoralë , që nga ata të dosjes që fle të Dibrës dhe deri te këta të zgjedhjeve të 11 Majit”,-tha Metaj.
Komente
