Meta nuk u shkarkua, Ristani: Nëse do ndodhte institucioni i Presidencës do shkonte në kolaps! Hitaj: Presidenti nuk ishte mbi palët, e bëri për interesin e LSI-së

18 Shkurt 2022, 22:52| Përditesimi: 18 Shkurt 2022, 23:03

  • Share

TIRANË- Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të mos shkarkuar Ilir Metën ishte i pritshëm për Arben Ristanin. I ftuar në Report Tv në emisionin ‘Pa Protokoll’, anëtari i Komisionit të Rithemelimit thotë se nëse gjykata do ta shkarkonte metën institucioni i Presidencës do shkonte në kolaps. Por, Ristani thotë se Meta duhet të ishte treguar më i distancuar gjatë fushatës elektorale 25 prillit.

“E prisja, isha i bindur që do dilte në këtë konkluzion, kam pasur mundësinë ta them edhe publikisht. Juridikisht më tepër, por edhe politik patjetër. Them juridik sepse çështja për mua ishte çështje pa çështje, vetëm kështu mund të përfundonte, përndryshe do ishte një precedent i rrezikshëm për të ardhmen sepse jemi në republikë parlamentare. Nëse do ndodhte dhe kjo, institucioni i presidentit do ishte në kolaps.

Presidenti në një situatë tjetër do duhet të bënte shumë kujdes, prandaj ku e merr detyrën jep dorëheqjen nga partia politike. Çështja është që vetë Meta e justifikua veprimin me situatën e veçantë që unë personalisht do kisha preferuar të bënte më tepër kujdes në këtë pjesë, të mos dilte në atë performancë por e ka justifikuar me momentin e rëndë”, tha Ristani në Report Tv.

Por nuk ndan të njëjtin mendim gazetari Arbër Hitaj, i cili thotë se Gjykata Kushtetuese duhet ta kishte shkarkuar Ilir Metën, pasi gjatë 25 prillit ai mbajti anë duke bërë fushatë për opozitën dhe nuk qëndroi mbi palët siç duhej të bëjë një president. Sipas tij, Meta gjithçka e ka bërë për interesin e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

“Për interesin e LSI, të gjithë e dinim që do shkonte kaq poshtë, të gjitha lëvizjet e vartura të Monika Kryemadhit, probleme të mungesës të programit, ishte një nivel mediokër politike, retorikë e vogël politike. Gjithçka ka qenë për interes personal. Atë që ka bërë Ilir Meta se ka bërë asnjë president, Moisu jo, Nishani Jo, Bamir Topi jo dhe asnjëherë nuk e kanë kaluar vijën e kuqe qoftë edhe në etikë. Por përveç asaj ka qenë interes personal sepse i ra partia dhe këtë e tregoi koha”, u shpreh Hitaj.

Më 16 shkurt Gjykata Kushtuese vendosi të mos pranojë kërkesën e Kuvendit për shkarkimin e Ilir Metës, duke thënë se Presidenti nuk ka kryer “shkelje të rënda të Kushtetutës” dhe për këtë arsye nuk vendos për shkarkimin e tij. Kështu vendosën 6 anëtarë të ‘Kushtetueses’ të cilët votuan kundër shkarkimit dhe vetëm një anëtar votoi pro, vetëm Altin Binaj.  

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?