Pasi kreu i PD-së Sali Berisha u “mburr” me një rezolutë të IDC-CDI për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ka reaguar edhe Ilir Meta. Nga paraburgimi i 313-ës ku ndodhet prej tetorit të vitit të kaluar, kreu i PL thotë se mbështet rezolutën, ku 108 parti “rrëzuan” atë që opozita e quan si farsë elektorale të 11 majit.
Në një postim në rrjete socialem Meta kërkon edhe kushtëzimin e integrimit evropian të vendit pasi sipas tij, nuk mund të mundësohet nëse nuk garantohet vota e lirë, themelet e demokracisë dhe shtetin ligjor.
“Përshëndes dhe mbështes plotësisht Rezolutën shumë të rëndësishme të organizatës politike më të madhe në botë, IDC-CDI, ku 108 parti rrëzuan farsën elektorale të 11 Majit!
Këto zgjedhje të kriminalizuara nuk përmbushën asnjë standard ndërkombëtar dhe shkelën dhunshëm kriteret e Kopenhagenit dhe unë e përkrah me vendosmëri vendimin e IDC-CDI për të dënuar manipulimin e procesit zgjedhor përmes kapjes së shtetit dhe bashkëpunimit kriminal në frikësimin e votuesve dhe manipulimin e rezultateve; përndjekjes gjyqësore ndaj liderëve të opozitës; pandëshkueshmërinë institucionale ndaj krimeve zgjedhore.
Vlerësoj lart mesazhet shumë të qarta të IDC-CDI për domosdoshmërinë e zbatimit me urgjencë të rekomandimeve prioritare të OSBE/ODIHR, për ndërprerjen e përndjekjes politike dhe rikthimin e të drejtave të plota për liderët e opozitës, si dhe për krijimin e një qeveri teknike, sipas modelit të Maqedonisë së Veriut, për të mbikëqyrur reformat drejt BE-së dhe për të përgatitur zgjedhje të reja.
Pa garantuar votën e lirë, themelin e demokracisë dhe shtetit ligjor, nuk mund të ketë kurrë integrim të Shqipërisë në familjen europiane!”, shkruan Meta.
Postimi i Metës
Lajmi kryesor:
Berisha ‘mburret’ me rezolutën e radhës: IDC-CDI kundërshton zgjedhjet dhe ‘kushtëzon’ integrimin
Xh.D/ReportTv.al