Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka shpërndarë një postim duke përgëzuar takimin e opozitës sot në Pukë, duke e cilësuar mitingun si një shembull për fitoren e 11 majit.
Ai vlerëson organizimin në Pukë dhe Fushë-Arrëz, që sipas tij garantuan fitoren e opozitës pavarësisht presioneve nga pushteti.
Meta premton mbështetje për zonat veriore me programin e tij për bujqësinë, blegtorinë dhe turizmin malor.
Statusi i Ilir Metës
Puka hap gjithmonë rrugën drejt Fitores!
Manifestimi madhështor i Pukës sot na kujton edhe rrugën e duhur drejt fitores më 11 Maj.
Shumë të pakët ishin ata që mendonin se bashkia e Pukës dhe ajo e Fushë-Arrëzit do fitohej nga opozita në zgjedhjet e fundit lokale, ndërkohë që pritmëritë ishin shumë më të mëdha në bashki të tjera ku rezultati ishte shumë zhgënjyes.
Presionet e kryebashkiakëve “rilindas” ishin të jashtëzakonshme dhe të dhunshme, bashkë me policinë dhe të fortët e regjimit në Pukë dhe Fushë-Arrëz.
Por organizimi i Rrok Dodës dhe Hil Currit ishte edhe më i fortë. Ata nuk nënvlerësuan asnjë votë, por punuan ditë-natë duke paralizuar edhe shit-blerjen e votave.
Ata garantuan një pjesëmarrje të shkëlqyer të emigrantëve dhe çimentuan fitoren e merituar.
Ndaj vetëm duke punuar në këtë mënyrë, nën shembullin e Pukës dhe Fushë-Arrëzit do të garantojmë fitoren për Shqipërinë Madhështore.
Puka dhe Fushë-Arrëzi mezi presin Qeverinë e re që t’i mbështesë fuqimisht për të ndalur shpopullimin dhe riintegruar shumë emigrant, të cilët me programin tonë fantastik dhe konkret për mbështetjen e bujqësisë, blegtorisë, agropërpunimit dhe agroturizmit, jo vetëm do të kenë mbështetjen më të fuqishme, por njëkohësisht ata do t’i rikthejnë Pukës dhe Fushë-Arrëzit shkëlqimin e dikurshëm por edhe do t’i shndërrojnë ato në parajsa të turizmit malor.
Malet tona më të larta!
Komente
