Presidenti i Republikës Ilir Meta priti sot Ambasadorin e Republikës Islamike të Pakistanit në Shqipëri (rezident në Romë), Jauhar Saleem, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.
Presidenti Meta i uroi Ambasadorit Saleem suksese në misionin e tij diplomatik në Shqipëri dhe nënvizoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve miqësore dypalëshe në fushat me interes reciprok, veçanërisht në bashkëpunimin ekonomik e tregtar dhe fushën e teknologjisë së informacionit, përmes përmirësimit e plotësimit të kuadrit ligjor mes dy vendeve.
"Bashkëpunimi në kuadër të NATO-s dhe të OKB-së, për paqen e qëndrueshme, sigurinë dhe stabilitetin në botë, mbetet një fushë e rëndësishme, me dobi për të dy vendet tona", - nënvizoi Presidenti Meta.