Marrëdhëniet e Presidencës me Qeverinë nuk kanë qenë kurrë të lehta dhe në momentet ku duket sikur mes tyre ka paqe, menjëherë vijnë akuzat dhe sulmet nga kreu i shtetit. Pas akuzave se qeveria ka nxitur shpopullimin dhe largimin e të rinjve, tashmë është fokusuar tek ekonomia dhe bizneset. Me afrimin e zgjedhjeve të 25 prillit, presidenti Ilir Meta vijon të luaj rolin e opozitarit duke thënë se disa biznese pranë qeverisë janë më të privilegjuara se të tjerat dhe për këtë largohen investitorët.
Meta shkruan në Facebook, se Shqipëria ka barrën fiskale më të lartë dhe të ardhurat publike më të ulëta, krahasuar me vendet e rajonit dhe arsyeja sipas tij është pasi taksat iu vilen vetëm bizneseve, që nuk janë të lidhura me qeverinë.
Kreu i shtetit thekson se një klimë e mirë biznesi do të thotë më shumë vende të reja pune dhe shmangie të shpopullimit të vendit.
“Shqipëria ka barrën fiskale më të lartë dhe të ardhurat publike më të ulëta, krahasuar me vendet e rajonit. Arsyeja është e thjeshtë: taksat ju vilen vetëm bizneseve, që nuk janë të lidhura me qeverinë.
Bizneset nuk mbështeten njësoj, ndaj investitorët largohen.
Të forcojmë ekonominë duke luftuar pabarazinë, korrupsionin dhe klientelizmin politik!
Një klimë e mirë biznesi do të thotë më shumë vende të reja pune, më shumë investime, më shumë zhvillim.
Të ndihmojmë biznesin, për të ndalur shpopullimin”, shkruan Meta.