Meta takim me operatorët turistik: Protokolle të veçanta të përshtatura për vendqëndrimet! Fokusi familjet që mbahen nga turizmi

12 Maj 2020, 14:09| Përditesimi: 12 Maj 2020, 14:23

  • Share

TIRANË- Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një takim me përfaqësues të operatorëve turistik, një nga sektorët më të prekur nga koronavirusi, ku theksin e vuri te mbështetja maksimale që duhet të tregojë qeveria ndaj tyre.

Në takim, ku janë respektuar rregullat e distancimit, Meta ka kërkuar protokolle të veçanta për zonat e ndryshme turistike, që është edhe një nga kërkesat kryesore të tyre. Fokusi për Metën, duhet të jenë familjet që mbahen gjatë gjithë vitit nga sezoni turistik.

"Turizmi është një ndër sektorët më të prekur nga pandemia COVID-19 dhe sezoni i ri turistik në vend parashikohet tejet i vështirë. Veç humbjeve gjatë periudhës së karantinës, shumica e prenotimeve janë anuluar duke vënë në rrezik mbijetesën e këtij sektori tepër të rëndësishëm për ekonominë familjare dhe kombëtare.

Shqetësimi i thellë për krizën e rëndë ku ndodhet ky sektor m’u shpreh sot edhe në takimin që zhvillova me përfaqësuesit e operatorëve dhe agjencive turistike kryesore në vend. Nevojitet qartësi, solidaritet gjithëpërfshirës kombëtar, një plan konkret dhe i prekshëm në mbështetje të turizmit, që dëmi i shkaktuar nga pandemia COVID-19 të jetë sa më minimal dhe që ky sektor të rimëkëmbet shpejt, në mënyrë që familjet e bizneset shqiptare të cilat të ardhurat i kanë nga turizmi, të përfitojnë sa më shumë gjatë këtij sezoni.

Me rifillimin e fluturimeve dhe hapjen e kufijve tokësorë, në bashkëpunim të ngushtë edhe me vendet fqinje, për të mirën e përbashkët, duhet të mbështesim turizmin vendas dhe familjet shqiptare që mbahen gjatë vitit nga sezoni turistik. Për këtë është e rëndësishme të caktohen protokolle të veçanta të sigurisë shëndetësore të përshtatura për vendqëndrimet, mjetet e transportit, hotelet, bregdetin, dhe zonat e tjera që vizitohen dhe ku pushojnë turistët", shkruan Meta.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?