Presidenti Ilir Meta priti në një takim raporteren për Shqipërinë në PE, Isabel Santos. Në takim u diskutua për liberalizmin e vizave për Kosovën, por edhe situata e tensionuar në Bosnje, ku BE duket t’i kushtojë një rëndësi të veçantë. Pjesë e diskutimit ishte dhe integrimi i Shqipërisë, dhe fokusimi në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.
“Vlerësova angazhimin e saj dhe të Parlamentit Europian në mbështetje të nisjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Ramë dakord se krimi i organizuar dhe emigracioni përbëjnë shqetësim serioz, që duhet trajtuar me përparësi. Dita e sotme shënon 11-vjetorin e vendimit të Këshillit Europian për liberalizmin e vizave me Shqipërinë. Është e domosdoshme, që ky proces të përmbyllet me rajonin tonë, duke liberalizuar sa më parë vizat edhe me Kosovën, të vetmit vend që nuk i është mundësuar ende kjo e drejtë edhe pas plotësimit të të gjitha kushteve. Theksova gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke u ndalur edhe në situatën shqetësuese të krijuar në Bosnje-Hercegovinë, së cilës Bashkimi Europian duhet t’i kushtojë vëmendjen e duhur pa humbur kohë”, shkruan Meta.