Ilir Meta dhe Tedros Adhanom Ghebreyesus

Meta takon kreun e OBSH-së: I kërkova mbështetje për sistemin tonë shëndetësor

17 Qershor 2022, 16:50| Përditesimi: 17 Qershor 2022, 16:53

  • Share

Presidenti Ilir Meta ka takuar kreun e OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, gjatë punimeve të Forumit të IX Global të Bakusë.

Kreu i shtetit, thekson se ka vlerësuar kontributin dhe udhëheqjen e kreut të OBSH-së në luftën dhe parandalimin e pandemisë Covid-19 në mbarë botën, si dhe rolin e tij në reformimin e Organizatës, me një gamë të gjerë arritjesh në ofrimin e kujdesit shëndetësor në mbarë botën.  Meta thotë se i ka kërkuar një vëmendje të shtuar dhe mbështetje më të madhe nga OBSH për sistemin tonë shëndetësor, me synim mbrojtjen efikase të jetës dhe shëndetit të qytetarëve shqiptarë.

‘Në kuadër të punimeve të Forumit IX Global të Bakusë, pata kënaqësinë e veçantë të takoja Drejtorin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus , të cilit i urova shumë suksese për rizgjedhjen për një mandat tjetër 5-vjeçar në këtë detyrë shumë të rëndësishme.

Vlerësova kontributin dhe udhëheqjen e vyer si Drejtor i Përgjithshëm i OBSH-së në luftën dhe parandalimin e pandemisë Covid-19 në mbarë botën, si dhe rolin e tij në reformimin e Organizatës, me një gamë të gjerë arritjesh në ofrimin e kujdesit shëndetësor në mbarë botën.

E informova për efektet e rënda të COVID-19 në Shqipëri, si dhe për hapat që po ndiqen për tejkalimin e pasojave dhe rikthimin në normalitet. Kërkova një vëmendje të shtuar dhe mbështetje më të madhe nga OBSH për sistemin tonë shëndetësor, me synim mbrojtjen efikase të jetës dhe shëndetit të qytetarëve shqiptarë.

Përmirësimi i shëndetit publik global është një urgjencë, për të parandaluar çdo pandemi të mundshme në të ardhmen dhe për këtë nevojitet një koordinim më i mirë për sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe gjurmimin e transmetimit. Theksova se përparësia e Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të jetë edhe forcimi i OBSH si autoriteti udhëheqës dhe drejtues për shëndetin global, duke qenë në qendër të arkitekturës botërore të shëndetit.’- shkruan Meta.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?