Meta në Ditën Ndërkombëtare të Edukimit: Të ulen tarifat në universitete për studentët, më shumë shanse dhe mundësi të reja për punësimin e tyre

25 Janar 2021, 14:24| Përditesimi: 25 Janar 2021, 16:58

  • Share

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Edukimit, Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi sot një takim me një përfaqësi të Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, të cilët e njohën me disa nga çështjet më kritike me të cilat përballen studentët, duke parashtruar edhe rekomandimet për zgjidhjen e tyre.

Disa nga çështjet e ngritura, që shqetësojnë rininë studentore janë tarifat e larta në universitete, të papërballueshme për shkak të ndikimit të pandemisë COVID-19 në humbjen e vendeve të punës, korrupsioni në arsim, specifikisht në arsimin e lartë, ngacmimi dhe dhuna seksuale ndaj studenteve vajza në universitete, rritja e sfidave për frekuentimin e mësimit online nga studentët për shkak të mungesës së teknologjisë dhe mjeteve; si dhe mungesa e bibliotekave, laboratorëve dhe praktikave mësimore.

Përfaqësuesit studentorë dhe pedagogët në takim theksuan se papunësia mes të rinjve të arsimuar mbetet një ndër shqetësimet kryesore në Shqipëri ku rreth 14.4 % e të rinjve me arsim të mesëm janë të papunë, ndërsa 12,3 % e të rinjve me arsim të lartë vuajnë këtë fenomen, duke vënë në dukje se ikja e trurit dhe shpopullimi i vendit nga të rinjtë e rendit Shqipërinë në vendin e parë në Europë me rreth 30% të studentëve që synojnë të studiojnë jashtë vendit dhe 79% e të rinjve që dëshirojnë të largohen nga Shqipëria për një jetë më të mirë.

Sipas përfaqësuesve të Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë krijimi i Avokatit të Studentit sipas modelit të Avokatit të Popullit, është një nevojë, plotësimi i të cilës do të ndikonte pozitivisht në ndihmën dhe mbrojtjen e të drejtave të studentëve.

Po ashtu dobiprurëse do të ishte edhe mundësimi dhe pajisja me Kartën Rinore deri në moshën 29 vjeç, në të cilën të jetë e integruar edhe Karta e Studentit, rimodelimi i programeve të punësimit pasi të jenë bërë studime të tregut të punës, kthimi në funksionalitet i Zyrave të Këshillim, etj.

Duke ngritur si shqetësimin mungesën e zgjedhjeve demokratike në nivel vendor, të ilustruar edhe me mënyrën e paprecendentë të miratimit me anë të forcës së kartonit në parlament të Ligjit tërësisht të cunguar e të njëanshëm për Rininë, përfaqësuesit rinorë theksuan situatën e vështirë dhe perspektivën e zymtë që  i pret në të ardhmen, ku zëri dhe shqetësimet e tyre nuk merren parasysh. Në këtë kuadër, ata nënvizuan domosdoshmërinë e hartimit të një Ligji të ri për Rininë.

Pasi i dëgjoi shqetësimet dhe u njoh me gjetjet e përfaqësuesve të Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë, Presidenti i Republikës u shpreh se:

“Takimet me të rinjtë dhe studentët janë përherë kënaqësi. Për të gjithë ne është e qartë se prej gati një viti procesi i edukimit, për shkak të pandemisë dhe pasojave të paparashikuara që solli,  është në një trysni të madhe.

Në radhë të parë, doja të përshëndesja gjithë pedagogët e mësuesit, si dhe të gjitha institucionet shtetërore të arsimit publik, për përpjekjet e tyre, që edukimi i studentëve të vijojë normalisht, në veçanti që sistemet online të funksionojnë në një mënyrë sa më efikase, pa cënuar cilësinë e mësimdhënies.

Jam i njohur me faktin se në këtë situatë  problem i madh për studentët sot është çështja e tarifave, për shkak se pandemia për fat të keq, pati një kosto të madhe për familjet shqiptare.

Sipas Bankës së Shqipërisë, mbi 50 mijë shqiptarë humbën vendet e punës dhe sigurisht përballimi i tarifave të universiteteve për fëmijët e tyre është një kosto shtesë për shumë familje, që kanë një pagë të ulët.

Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në arsimin e fëmijëve, për shkak të vështirësive që duhet të kapërcehen për të përballuar të njëjtat shpenzime, si përpara se të vinte  pandemia.

Arsimi është një instrument shumë i rëndësishëm për zhvillimin e vendit, por është shumë i rëndësishëm për të luftuar varfërinë.

Njëkohësisht arsimi është mundësia më e mirë që i jepet një fëmije,

për të shprehur sa më shumë potencialin e tij në jetë, por edhe për të kontribuar më shumë për të mirën e përgjithshme të shoqërisë. Forcimi dhe investim i mëtejshëm në arsim, si një e  mirë publike, por dhe si parandalues i pabarazisë dhe i përjashtimit social, është një prioritet.

Sidomos  në këto kushte, që  jemi sot, ku për fat të keq, pabarazia është evidente.

Fenomen kryesor dhe më shqetësues që lidhet me rininë është tendenca e tyre për të ikur nga Shqipëria, në mungesë të besimit dhe shpresës.

Shqipëria mban vendin e parë në Europë, përsa i takon studentëve që studiojnë jashtë vendit në raport me popullsinë.

Por, ajo që është më shqetësuese është se gati 94-95% e atyre që studiojnë jashtë nuk kanë dëshirë të kthehen më.

Shqetësuese është gjithashtu niveli shumë i lartë i atyre që studiojnë në vend të cilët duan të largohen, sidomos për degët të tilla siç është mjekësia.

Megjithëse është një panoramë jo tepër optimiste, ne përsëri besoj do  të gjejmë forcën dhe do vlerësojmë më me përgjegjësi  këtë situatë  të gjithë bashkë, duke filluar nga grupet e interesit dhe institucionet shtetërore me qëllim, për të përqendruar  vëmendjen, energjitë, por dhe resurset tona sot, dhe në të ardhmen akoma  më shumë, për të forcuar arsimin, duke ju krijuar të rinjve kushte më të mira dhe akses të plotë në vendimmarrje.

Nevojitet një mbështetje më e madhe shtetërore për studentët që vijnë nga familijet me vështirësi ekonomike, që edhe ata të kenë mundësi të jenë dhe të ndihen të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre.

Duhen mbështetur më të talentuarit, me qëllim për t’i mbajtur në vend.

Në këtë plan, kam besim në angazhimin tuaj të mëtejshëm dhe për të bashkuar të gjithë forcat, për një qëllim të përbashkët: Për t’i thënë ndal largimit të  rinjve.

Gjithçka e mbarë për një vend, për një komb, për të ardhmen e tij, por edhe për prosperitetin, fillon te një arsim më i mirë, më cilësor, më përfshirës, por edhe te një edukim më thelbësor me dashurinë për Atdheun.

Është koha ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa duke arritur standardet europiane në çdo fushë, për të rikthyer besimin dhe shpresën tek të rinjtë”, - u shpreh ndër të tjera Presidenti Meta.

J.GJ.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?