Meta u la ‘pushim’ në sherrin me Ramën, do ‘ndajë’ humbjen me Berishën më 2023

6 Qershor 2022, 20:55| Përditesimi: 6 Qershor 2022, 20:59

  • Share

Ilir Meta, si kreu i shtetit dekretoi lirimin nga detyra të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralmajor Bajram Begajn, për t’i hapur rrugë votimit të tij si Presidenti i Republikës.

Pra si pasues të tij. Madje dhe e ka uruar për detyrën e re kur u zgjodh me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim nga parlamenti shqiptar. LSI që Meta pritet të marrë drejtimin më 25 korrik një ditë pas largimit nga Presidenca, ishte prezente në seancë, anipse votoi kundër.

Në media u shfaq habi me këtë veprim të beftë të Ilir Metës, i cili përkundër traditës së tij të konsoliduar tashmë në 5 vite mandat në krye të Presidencës ku kishte nxjerrë gjithnjë “yçkla” për të bllokuar dekretet e kërkuara nga kryeministri Edi Rama, madje dhe për emërim ministrash, firmosi pa një pa dy shkarkimin nga detyra të Begajt, madje dhe në tokë të huaj.

Kjo solli dhe reagimin e Sali Berishës, aleatit aktual dhe afatgjatë në opozitë pas përfundimit të mandatit të Presidentit të Ilir Metës, i cili e cilësoi si antikushtetuese firmën e vendosur nga Meta në dekretin e shkarkimit të Begajt nga posti i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA në tokën turke. Pra nga Stambolli.

Madje “furtuna” e debatit dhe një sherri të pritshëm u ngrit deri në atë shkallë sa parashikohet që PD që drejtohet nga Berisha të bëjë dhe ankimim në Kushtetuese për të parë kushtetutshmërinë e këtij dekreti të Presidentit në largim.

Zëra pro e kundër u ngritën ndaj këtij vendimi të papritur të Metës duke aluduar për një përplasje mes Presidentit aktual dhe liderit të PD Berisha. Madje u hamendësua deri atje sa të thuhet se Meta po bën një distancim gradual nga Berisha dhe një afrim me SHBA, duke u mbështetur në atë takim të rastësishëm të ambasadores amerikane Yuri Kim me kreun e shtetit.

Pra paraqitet ky takim si një pushim të luftës mes Metës dhe ambsadores amerikane, takim që ndodhi më 25 maj, në një konferencë për trafikimin e qënieve njerëzore, ku ambasadorja  Kim dhe presidenti Meta morën pjesë në një konferencë kushtuar luftës ndaj trafikimit të qenieve e njerëzore. Duke shtrënguar madje dhe duart me njëri-tjetrin, çka mori dhe vendin e parë të lajmeve në disa media.

Që gjithësesi ishte një veprim normal, ose ndoshta s’kishin si të shmangeshin nga njëri tjetri, pa u takuar. Fundja Meta deri më tani sëpaku nuk është shpallur person “non grata” nga SHBA. Dhe për më tepër SHBA operon si në futboll: Të ngre siç ngrihet topi në gjysmëlartësi për të të gjuajtur më pas dhe dërguar aty ku duhet.

Ka ndodhur në Shqipëri, ku fill pas takimeve dhe në Shtëpinë e Bardhë janë goditur zyrtarë të ndryshëm, madje dhe të rangut të lartë. Ndaj SHBA quhet vend demokratik, vend që sundohet nga forca e ligjit dhe ku askush nuk falet për asgjë që bën në dëm të qytetarëve apo dhe cënon sigurinë e Amerikës.

Por nxitimi për të paraqitur aktin e firmosjes së Metës të dekretit për presidentin e ri Begaj apo dhe shtrëngimin rastësor të duarve me ambasadoren e SHBA Yuri Kim në një konferencë të zgjeruar kundër trafikimit, tregon se situata nuk është ashtu sikurse duket në sipërfaqe.

Në krye të herës Berisha është i bindur si dreqi se Ilir Meta si President ka firmosur dekretin e shkarkimit të Begajt nga shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA që nga Stambolli ku ishte për një vizitë, konform Kushtetutës.

E themi këtë jo vetëm nga sqarimi i zëdhënësit të Metës, apo dhe përshëndetje nga mazhoranca të këtij akti, por dhe nga fakti se Kushtetuta nuk e pengon Presidentin të firmosë një dekret në çdo cep të territorit të Republikës së Shqipërisë. Dhe territor shqiptar quhet dhe ajo ‘copë tokë’ ku është vendosur ambasada apo konsullata shqiptare në Stamboll. Eshtë një ligj ndërkombëtar. Të guxojë njeri të hyjë në territorin e ambasadës amerikane në Tiranë pa lejen e vetë ambasadës, dhe do të përballesh jo me policinë shqiptare apo private shqiptare, por me marinsat amerikanë që mbrojnë territorin e tyre, që përkon me çdo centimetër të territorit të ambasadës amerikane në Shqipëri.

Berisha ka qënë President dhe e di mirë këtë fakt, ndaj bën kot si i zemëruar me Ilir Metën, duke shtyrë mbështetësit e tij që të godasin direkt dhe indirekt aktin e firmosjes në Stamboll të dekretit nga ana e Presidenti aktual, aleatit më të ngushtë të tij.

Atëherë pse u ngrit një “sagë” e tillë debati dhe sherri të pretenduar mes Berishës dhe Metës, për firmosjen e një dekreti, të cilin Presidenti s’mund ta shmangte për shkak se e lejonte Kushtetuta dhe s’kishte ku e argumentonte zvarritjen e tij, si dhe për faktin se Begaj ishte ngritur në detyrën më të lartë të FA bashkë me gradën gjeneralmajor me firmën e vetë Metës?!

E vërteta e kulluar është se Meta dhe me dakordësinë e vetë aleatit të tij Berisha, këtë radhë u la “pushim” në përplasjen e radhës me kreun e mazhorancës Edi Rama. Do të ishte një përplasje e panevojshme dhe pa asnjë përfitim, pasi të gjitha faktet i kishte kundër, dhe për më tepër asgjë nuk mund të ndikonte në bllokimin e zgjedhjes së Presidentit të ri. Thjeshtë mund të shtyhej në kohë, por ama në raundin e pestë do të zgjidhej me patjetër.

Njëherësh, në raste të tilla bllokimi i plotë i zgjedhjes së Presidentit ndodh kur opozita kërkon të provokojë zgjedhje të parakohëshme, gjë për të cilën tashmë nuk është e interesuar. Me një PD të ndarë në tre pjesë, ku të gjithë luftojnë kundër njëri tjetrit, dhe që ka një çështje të hapur në Apel se kujt i takon vula zyrtare, ankesë e Alibeajt kjo, dhe me një LSI në kuotat më të ulta politike, as Meta dhe as Berisha nuk janë të interesuar për zgjedhje të parakohëshme parlamentare. Pasi Edi Rama i fiton akoma më thellë ato, në të gjitha rastet e ballafaqimit.

Pra teksa Meta u la “pushim” këtë radhë duke evituar përplasjen e radhës me Ramën, bashkë me Berishën ata po mendojnë për zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor, në pranverën e vitit 2023. Ku mendohet të hyjnë në koalicion me njëri tjetrin, ndoshta me një emërtesë të përbashkët, në mos “Shtëpia e Lirisë” sikurse emërtohej në zgjedhjet e pjesëshme të 6 marsit në 6 bashkitë e mbetura pa kryetar, me një emër tjetër.

Duke qënë se në këtë situatë ku është opozita, copë copë me një fjalë, e ka të sigurtë humbjen përballë mazhorancës në vendoret e vitit 2023, Berisha po mendon se si të evitojë votëbesimin si humbës në Kuvendin Kombëtar, sipas statutit të shkruar nga vetë ai.

Duket se e quan turpërues këtë fakt, dhe mendon që ta zgjasë drejtimin e PD pa probleme deri në verën e vitit 2025 kur të përballet me Ramën në zgjedhjet parlamentare të radhës. Deri atëherë Berisha mendon se do ta ketë revizionuar pozicionin si “non grata” në sytë e amerikanëve dhe duke shpresuar tek ardhja e Trump si President në zgjedhjet e ardhshme, do ketë zbutje të qëndrimit ndaj tij deri në heqje të “non gratas” siç pretendon dhe mban me gajret mbështetësit e tij në PD. Ndonëse “letrat” për “non gratan” iu kopsitën nën administratën e Trump, sekretari i administratës së Binden vetëm sa hodhi firmën. Por Berisha tenton të operojë me këtë variant pasi i volit shumë, për të pasur një mburojë politike ndaj SHBA dhe drejtësisë shqiptare deri në vitin 2005, dhe për këtë arsye kërkon të jetë kryetar i PD pa asnjë kontestim deri në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Për këtë arsye i duhet Ilir Meta, i cili pritet të drejtojë në zgjedhjet e vitit 2023 koalicionin PD-LSI, që do ta shpëtonte Berishën nga ‘lincimi’ në forumet drejtuese të demokratëve për shkak të humbjes së sigurtë në zgjedhjet vendore përballë Ramës.

Kërkon të ndajë humbjen me Ilir Metën me një fjalë, për të mos mbajtur vetë përgjegjësi. Sa për Metën, ai si humbi si nuk humbi, s’ka rëndësi për pozicionin e tij në LSI, sepse e ka pronë të veten. Maksimumi mund të jetë kryetar disa muaj Petrit Vasili, pa vulë kuptohet, dhe drejtimi zyrtar rikthehet sërish në duart e familjes Meta-Kryemadhi.

Ndaj Berisha ngriti këtë “furtunë” të përplasjeve me Metën për dekretin e shkarkimit të Begajt si zyrtari më i lartë i FA, thjeshtë dhe vetëm për të evituar përplasjet e panevojshme të drejtuesit të ardhshëm të koalicionit PD-LSI, dhe për të ngritur kuotat politike të vetë Presidentit aktual, me argumentin se kundërshtitë ndaj mazhorancës deri më tani kanë qënë parimore dhe jo për inate personale apo për hir të bërjes opozitë ndaj çdo veprimi të PS të drejtuar nga Rama.

Nuk e kanë menduar keq, por kur e sheh në planin e përballjes elektorale, merret vesh se Berisha dhe Meta që tani po përpiqen për të gjetur alibinë e humbjes së opozitës në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm dhe mënyrën se si do ta ndajnë këtë humbje, pa lëshuar postet e kryetarit në PD e LSI. Mbetet vetëm që të presim dhe të shohim rrjedhën e ngjarjeve. Pranvera e vitit të ardhshëm nuk është larg.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?