Meta uron shqiptarët për Vitin e Ri: Të mos i dorëzohemi indiferencës, përjashtimit dhe zemërimit! Uroj që në 2022 të shënojmë një hap të rëndësishëm drejt BE

31 Dhjetor 2021, 18:35| Përditesimi: 31 Dhjetor 2021, 19:18

  • Share

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka uruar shqiptarët për Vitin e Ri. Në urimin e tij, Meta thekson se të gjithë së bashku duhet të mobilizojmë fuqitë dhe energjitë më pozitive për të tejkaluar sfidat që kemi përpara, e ndërsa ka edhe një mesazh, të mos i dorëzohemi indiferencës, përjashtimit dhe zemërimit.

"Të dashur bashkëkombas kudo ndodheni! Dua t’ju përcjell urimet më të përzemërta, për një Vit të Ri, që do ta shohë Shqipërinë më demokratike dhe më të drejtë, më të bashkuar e më të fortë, por edhe shqiptarët më të shëndetshëm dhe më të begatë!

Prandaj të gjithë së bashku, të mobilizojmë fuqitë dhe energjitë më pozitive të kombit tonë, por edhe mendjet më të ndritura për të tejkaluar sfidat e mëdha që kemi përpara!

Të mos i dorëzohemi indiferencës, përjashtimit dhe zemërimit!  Të mos lejojmë që e vërteta të përmbytet nga gjepurat, pasiviteti dhe nënshtrimi!

Me shpresë, besim, punë, këmbëngulje, përfshirje dhe dashuri ne mund të arrijmë gjithçka.  Në maj të vitit 1992, Shqipëria ishte vendi i parë në rajon që niste një marrëdhënie të re kontraktuale me Bashkimin Europian. 

Ndaj uroj që 30 vite më pas, më në fund të shënojmë një hap të ri në procesin tonë të vonuar të anëtarësimit drejt Bashkimi Europian, përmes një përfshirjeje dhe aktivizmi më të madh qytetar për realizimin e kësaj aspirate strategjike. Të mbrojmë vlerat tona kombëtare, të respektojmë liritë, të drejtat dhe dinjitetin njerëzor, t’u përkushtohemi të rinjve tanë për t’u ofruar atyre çdo mundësi që ta ndërtojnë të ardhmen europiane këtu, në Atdheun e tyre!

Shqipëria europiane që duam të gjithë, stoliset edhe më shumë, kur bukuritë e saj natyrore pasurohen me bukuritë e punës dhe vitalitetit të popullit tonë e në radhë të parë, të të rinjve tanë. Me këtë mesazh, dua t’ju bashkohem të dashur bashkëkombas, kudo ndodheni, pranë vatrave dhe familjeve tuaja, duke ju uruar nga zemra shëndet, mbarësi, paqe, lumturi, dhe begati", tha Meta. 


Lajmi kryesor:

Uron politika! Rama: Të dalim nga llogoret përçarëse, ndjesë për punët që s'i kam bërë! Meta: Mos u nënshtroni! Basha: Shpresë tek e ardhmja! Kim: Festojmë çdo gjë që kemi arritur bashkë


B.K./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?