Ilir Meta

Meta vlerëson artistët korçarë dhe Teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës: Janë krenaria e vendit dhe frymëzim për brezat

21 Janar 2022, 16:37| Përditesimi: 21 Janar 2022, 16:42

  • Share

Presidenti i Republikës, Ilir Meta çmoi Teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”. Pasi vizitoi mjediset dhe muzeun e Teatrit “Andon Zako Çajupi”, Meta dekoroi gjithashtu disa artistë të shquar korçarë me Titullin “Mjeshtër i Madh”;

Zonjën Spanja Pipa: “Në shenjë vlerësimi ndaj kontributit të çmuar për zhvillimin e artit dhe kulturës shqiptare, nëpërmjet një karriere të pasur e profesioniste artistike, si këngëtare dhe aktore e dashur nga publiku. Me mirënjohje ndaj kontributit të jashtëzakonshëm ndaj artit dhe së bukurës, si dhe për frymëzimin e brezave të rinj me vlera të larta e të vyera,  duke promovuar imazhin artistik të qytetit të Korçës.”;

Zotin Koço Qëndro: “Me vlerësim për kontributin e vyer, për zhvillimin e artit dhe kulturës shqiptare, si aktor i talentuar dhe i mirënjohur në skenat shqiptare dhe në ato shqipfolëse. Me mirënjohje për përçimin e trashëgiminë kulturore dhe artistike korçare, nëpërmjet roleve dhe karaktereve të spikatura në skenat e teatrit dhe ekranit, duke kontribuar në artin tonë kombëtar me energji të pashtershme.”;

Zotin Sotiraq Bratko: “Në shenjë vlerësimi ndaj kontributit të vyer për zhvillimin e artit dhe kulturës shqiptare, nëpërmjet roleve të panumërta si aktor i spikatur, në teatrin dhe kinematografinë shqiptare. Me mirënjohje për karrierën e pasur si aktor i talentuar, arritjet profesionale dhe emocionet e pafundme të dhuruara publikut artdashës, duke pasuruar trashëgiminë e vyer artistike kombëtare.”;

si dhe zotin Roland Karanxha: “Në vlerësim të kontributit të vyer për zhvillimin e artit dhe kulturës shqiptare,  nëpërmjet një karriere të gjatë artistike, talentit në grafikë dhe pikturë. Me mirënjohje për origjinalitetin dhe frymën e rrallë krijuese në gjininë skenografike, si një ndër personalitetet më të spikatura në këtë disiplinë në vendin tonë, duke kontribuar për pasurimin e trashëgimisë së vyer artistike kombëtare”.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?