Andon Vasili dhe Presidenti Ilir Meta

Politikë

Meta vlerëson financierin Andon Vasili: Mirënjohje për aktin heroik, për mbrojtjen e pasurisë së përbashkët në vitin e mbrapshtë 1997

10 Korrik 2021, 20:19| Përditesimi: 10 Korrik 2021, 20:21

  • Share

Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi financierin atdhetar, Andon Vasili, për aktin e pashembullt heroik, qytetar dhe profesional të shpëtimit të depozitave të Bankës së Sarandës në vitin e vështirë 1997.

Kreu i Shtetit i akordoi vlerësimin ish-drejtorit të ish-Bankës Kursimeve të Sarandës, me motivacionin: "Me mirënjohje të thellë për aktin sa heroik, aq edhe qytetar e të përgjegjshëm, në vitin e mbrapshtë ’97-të, kur me vetëmohim hyri mes flakësh duke shpëtuar pasurinë e përbashkët të bashkëqytetarëve të tij. Me respekt për përkushtimin e jashtëzakonshëm të tij, si figurë me integritet dhe si drejtues i një banke, i cili, në kushte shumë të vështira, arriti të sigurojë vazhdimësinë e funksionimit të saj.

Duke iu drejtuar të pranishmëve në ceremoni, Presidenti Meta u shpreh: 

“Është kënaqësi e veçantë të vlerësojmë sot një personalitet të shquar të Sarandës, Andon Vasili.

Saranda është një atraksion turistik jo vetëm për të gjithë shqiptarët, por tashmë një brand i jashtëzakonshëm ndërkombëtar. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për zhvillimin e saj më të shpejtë, të qëndrueshëm dhe të begatë, por njëkohësisht edhe për të rritur kontributin e saj, për të gjithë zhvillimin e vendit tonë.

Edhe pse për fat të keq tranzicioni i vështirë e ka goditur arkitekturën e këtij qyteti, nuk ka arritur kurrsesi të eklipsojë bukurinë e përjetshme dhe magjepëse të Sarandës!

Por në rradhë të parë, një qytet i tillë merr dritë së pari prej shpirtit të kulturuar të qytetarëve të vet, ndaj flaka e tyre nuk shuhet kurrë, edhe në ditët më të vështira dhe më të trazuara.

Sot na duket si një periudhë mjaft e largët, por në vitin 1997 e gjithë Shqipëria, sidomos Jugu i saj, e në veçanti Saranda u përfshinë nga trazira të pamenduara.

Vala e shkatërrimeve përfshiu edhe institucionet më të paprekshme të shtetit, për fat të keq edhe bankat.

Në këtë situatë tepër absurde, një qytetar, një intelektual dhe një drejtues i përgjegjshëm, nuk zgjodhi as të shmangej dhe as t’i fshihej përgjegjësive të tij.

Përkundrazi, me vetëmohim dhe me një shpirt të lartë sakrifice arriti të kontribuojë në mënyrë heroike për të shpëtuar pasurinë e përbashkët, djersën dhe lekët e qytetarëve të këtij komuniteti.

Ky qytetar fisnik quhet Andon Vasili, dhe ai sot është mes nesh, i nderuar si asnjëherë tjetër, i respektuar nga të gjithë qytetarët e Sarandës dhe Delvinës.

Për këtë akt të lartë qytetar, për integritetin e tij moral dhe për përkushtimin e jashtëzakonshëm, i cili arriti të  sigurojë vazhdimësinë e funksionimit të bankës, edhe në kushtet më të rrezikshme. 

Nderim dhe mirënjohje përjetë për aktin tuaj sublim zoti Vasili!"

J.GJ./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Arben: 11/07/2021 02:16

    Shume Respekt per kete Zotni Burr, i heq kapelen

    Përgjigju
  • President hajdut: 10/07/2021 22:39

    O ilir injoranti , po floririn qe vodhe ti nuk mund ta ruante ky ? Edhe floriri ishte pasuri e perbashket , apo jo ? O njeri qesharak qe vetem president smund te jesh o injorant hajdut ordiner. Mos i gezofsh ato qe ke vjedhur. Zoti te ndeshkofte o hajdut po qe se nuk te ndeshkon SPAK.

    Përgjigju
  • dibran: 10/07/2021 21:34

    Kur do te rregullosh dicka e ben....POR SHUME VONE!!!!!! Ky meriton respektin e gjithe popullit, ndersa vlen edhe MEDAJA-RESPEKT!!!! Medalje FLORIRI, jo medalje llamarine qe nuk ndalove se shperdari....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?