Kronikë

Meta vlerëson Kostandin Kristoforidhin me titullin 'Nderi i Kombit':Thirrja e tij 'zgjohuni shqiptarë' jehon veçanërisht sot! Shqipëria në rrezik, ka nevojë për bijtë e saj

14 Prill 2021, 15:04| Përditesimi: 14 Prill 2021, 15:07

  • Share

Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar sot Kostandin Kristoforidhin (pas vdekjes) me Titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Ai u vlerësua me motivin “Për veprimtarinë e çmuar në rrugëtimin e Pavarësisë së Shqipërisë, promovimin e ideve të Rilindjes Kombëtare.  Me veprën e tij kontribuoi në njësimin gjuhës shqipe, zhvillimin e arsimit, si dhe mbrojtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare.”

Në fjalën e tij, Presidenti Meta përmendi thirrjen “Zgjohuni shqiptarë" të Kristoforidhit, ndërsa thotë se kjo jehon veçanërisht sot pasi, sipas tij, Shqipëria është në rrezik dhe "ka nevojë për bijtë e tij".

"Ndaj sot të gjithë jemi përpara një misioni dhe përgjegjësie kombëtare për të mbrojtur stoikisht historinë, kulturën dhe identitetin tonë prej tentativave të shkatërrimit dhe shpërfytyrimit të qëllimshëm.  Të kujtojmë me nderim dhe admirim veprat e patriotëve dhe heronjve tanë dhe njëkohësisht të çojmë përpara e ta pasurojmë më tej punën e tyre, duke i bërë kështu shërbimin më të vyer vendit, gjuhës, dhe trashëgimisë sonë të jashtëzakonshme kulturore kombëtare. “Zgjohuni shqiptarë,” ishte thirrja e Kristoforidhit dhe e të gjithë etërve të kombit. Kjo thirrje jehon veçanërisht sot, sepse Shqipëria është në rrezik dhe ka nevojë për bijtë e saj, ka nevojë që shqiponjat të kthehen në fole". tha Meta.

Fjala e plotë e Metës:

Shumë të dashur anëtarë të shoqatës mbarëkombëtare “Normalisti’. I nderuar Rektor i ‘Universitetit të Elbasanit’, profesor Skënder Topi.
Të nderuar profesorë, shkencëtarë, qytetarë të Elbasanit dhe familjarë, pasardhës të kësaj figure kaq të epike të ‘Rilindjes Kombëtare’.

Është një privilegj për mua sot, që në praninë tuaj të vlerësojmë së bashku një prej figurave më madhështore e të ndritura të ‘Rilindjes Kombëtare’ Kostandin Kristoforidhin.
Të vlerësojmë birin e Elbasanit dhe të mbarë kombit shqiptar, lëvruesin e gjuhës shqipe, patriotin dhe veprimtarin e jashtëzakonshëm të arsimit dhe kulturës tonë kombëtare.
Gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë së tij Kristoforidhi përçoi idetë e Rilindasve Kombëtare për pavarësinë e Shqipërisë. Kristoforidhi, punoi për mësimin, lëvrimin, forcimin e gjuhës shqipe dhe promovimin e virtyteve më të mira të kombit tonë.

Në kohët më të errëta të kombit, ky patrioti i shquar punoi me këmbëngulje dhe palodhur për mësimin në gjuhën amtare. Ai bashkoi veriun dhe jugun përmes Abetareve Gegënisht dhe Toskërisht’, duke projektuar njesimin e kombit përmes një gjuhe. Me botimin e gramatikës së gjuhës shqipe ai, nxori në dritë visaret e paçmuara të popullit tonë pikërisht përmes gjuhës.

Me lëvrimin që i bëri gjuhës shqipe me përkthimet dhe veprat e tjera, Kristoforidhi kontribuoi drejpërdrejt për themelimin e gjuhës letrare kombëtare. Zgjimi kombëtar ishte misioni i jetës së tij, dhe mjetin kryesor për këtë, ai e shikonte nëpërmjet gjuhës, kulturës dhe arsimit. Për Kristoforidhin, gjuha amëtare ishte mjeti më i rëndësishëm për përparimin kombëtar.

Ashtu si në vende të tjera të zhvilluara të botës atëkohë, Kristoforidhi solli liturgjinë në gjuhën shqipe, dhe e shndërroi atë në një gjuhë të gjallë duke e lëvruar në të dy dialektet. Kjo punë e tij vizionare do t’i jepte atij me të drejtë meritën e jashtëzakonshme si gurthemeli i njesimit të dy dialekteve në një gjuhë të vetme kombëtare.

Kristoforidhi ishte dhe një veprimtar patriot. Ai qe anëtar i Komisionit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Shqipërisë themeluar nga një grup i intelektualësh shqiptarë me qendër në Stamboll, të cilët punuan për integritetin territorial dhe bashkimin e trevave të banuara historikisht nga shqiptarët, nën Perandorinë Osmane. Figura të tilla madhështore për atdheun tonë, për gjuhën e kulturën shqipe janë shembull frymëzimi në çdo kohë dhe për të gjithë brezat.

Ata na kujtojnë se sa i shtrenjtë është atdheu, sa i fuqishëm dhe i domosdoshëm është arsimi, se sa mund e gjak është derdhur ndër shekuj për të mbrojtur dhe pasuruar identitetin, pavarësinë dhe kulturën tonë kombëtare.
Ndaj sot të gjithë jemi përpara një misioni dhe përgjegjësie kombëtare për të mbrojtur stoikisht historinë, kulturën dhe identitetin tonë prej tentativave të shkatërrimit dhe shpërfytyrimit të qëllimshëm.

Të kujtojmë me nderim dhe admirim veprat e patriotëve dhe heronjve tanë dhe njëkohësisht të çojmë përpara e ta pasurojmë më tej punën e tyre, duke i bërë kështu shërbimin më të vyer vendit, gjuhës, dhe trashëgimisë sonë të jashtëzakonshme kulturore kombëtare.
“Zgjohuni shqiptarë,” ishte thirrja e Kristoforidhit dhe e të gjithë etërve të kombit.
Kjo thirrje jehon veçanërisht sot, sepse Shqipëria është në rrezik dhe ka nevojë për bijtë e saj, ka nevojë që shqiponjat të kthehen në fole.

Në nderim të kësaj figure të ndritur patriotike të Rilindjes dhe kombit tonë, kam privilegjin t’i akordoj sot Kostandin Kristoforidhit (pas vdekjes) Titullin e Lartë “Nderi i Kombit”, duke kërkuar njëkohësisht falje me përulësi për vonesën e detyruar për shkak të rrethanave kufizuese të pandemisë, pavarësisht dëshirës së përbashkët për t’i dhënë përmasat dhe të gjitha nderimet më të larta që meriton.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?