Meta dhe Samarxhi në Presidencë

Politikë

Meta vlerëson me Dekoratën 'Nderi i Kombit' gazetarin dhe publicistin Ferdinand Samarxhi

8 Nëntor 2021, 14:41| Përditesimi: 8 Nëntor 2021, 16:44

  • Share

Presidenti Ilir Meta, me propozimin e të gjithë krerëve të bashkësive fetare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, vlerësoi sot gazetarin dhe publicistin e mirënjohur, Ferdinand Samarxhi, me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.

Me anë të një ceremonie të veçantë solemne ku ishin të pranishëm krerët e të gjitha bashkësive fetare, akademikë, profesorë, gazetarë, sipërmarrës, bamirës e shumë personalitete të tjera, Kreu i Shtetit i akordoi vlerësimin e lartë me motivacionin:

“Për punën gjysmëshekullore plot përkushtim të rrallë, me dinjitet e integritet, për pasqyrimin e realiteteve të kohës, sfidave të saj. Njeriut që frymëzon besimin tek Zoti, tek harmonia, bashkëjetesa fetare, në mbrojtje të virtyteve njerëzore dhe në shërbim të atdheut dhe kombit.”

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh
Do doja ta nisja me një falënderim për të gjithë udhëheqësit e komuniteteve fetare për propozimin e tyre prej kohësh, për të akorduar këtë vlerësim të lartë, për zotin Ferdinand Samarxhi. Çdo ditë e jetës së njeriut është e çmuar, por ajo bëhet e vyer kur i përkushtohesh shoqërisë, atdheut dhe kombit.

Ndaj edhe gjithë këto vlerësime të deritanishme të bëra, janë pikërisht për të vlerësuar shembullin që është zhvilluar më shumë se gjysmëshekulli, në shërbim ndaj shoqërisë, atdheut, kombit dhe në veçanti, ndaj zotit dhe njeriut.

Këtë preambul e gjejmë të përputhur me jetën dhe veprimtarinë publicistike të zotit Ferdinand Samarxhi, këtij intelektuali aktiv, që me talent, frymëzim dhe mirësi, ka spikatur në fushën e gazetarisë televizive. Ferdinand Samarxhiu lindi në Elbasan në një familja adhuruese të arsimit dhe dijes, por dhe e shenjtërisë së Zotit. Nuk ishin të pakta rreziqet që ai kaloi në kushte të ushtrimit të profesionit, në një sistem monopartiak.

Por ishte vullneti, dashuria për njerëzit dhe talenti,  që e bënë Ferdinandin të hynte në epokën e re të demokracisë, përmes një origjinaliteti të jashtëzakonshëm dhe të spikatur,  duke krijuar për herë të parë në vendin tonë kolanën e gazetarisë televizive të përkushtuar ndaj fesë dhe besimit, që  kishte qenë rreptësishtë e ndaluar.

Në këtë drejtim Enver Hoxha nuk ishte stalinist, por ishte edhe më “stalinist” se Stalini, duke ja kaluar në këtë drejtim, në raport me besimet fetare.   

Ende pa rënë perdja zyrtare e sistemit komunist, Ferdinand Samarxhiu bashkë me disa klerikë të rrallë, ishin të parët që i morën shqiptarët në rrugën ku flitej për Zotin, dhe për të gjitha besimet, me të njëjtën dashuri dhe respekt.

Nuk ishte vetëm zëri i veçantë i Ferdinandit me klerikët e dalë nga bota e ferrit komunist, por ishte bota e tij shpirtërore, pathosi dhe dituria e këtij gazetari të veçantë për të motivuar të gjithë besimtarët në një shenjtëri po aq të devotshme sa ajo e Zotit, në shenjtërinë e formulës së gjithë klerikëve shqiptarë të cilët janë të përshkuar nga formula “Për fe dhe atdhe”.

Në fillimet e para të punës dhe veprimtarisë intelektuale të fuqishme të zotit Samarxhi, spikat hapja për herë të parë e dritares në ekranin e “Televizionit Shtetëror Shqiptar” prej nga ku kundrohej me adhurim liria dhe besimi.

Janë të lidhur me zërin dhe kronikat e veçanta të zotit Ferdinand Samarxhi, ekspozimi, prezantimi, njohja me emrat e shquar tashmë të kësaj bote si Hafiz Sabri Koçi, Kryepeshkopi Anastas, Dede Reshat Bardhi, Monsinjor Frano Ilia, Monsinjor Rrok Mirdita e deri tek Kardinali i ardhëm Dom Ernest Troshani.

Është i paharrueshëm portreti i At Zef Pllumbit, që gjithashtu erdhi përmes këtyre kronikave të Ferdinand Samarxhiut, në mozaikun e botës demokratike ku u shfaq përfundimisht me një aspekt jetik, origjinal por të nevojshëm më shumë se vetë kapitalizmi që kishte hyrë.

I palodhur, energjik dhe i përkushtuar, vetëm devocion dhe lumturi për njerëzit, gëzim dhe shpresë për ta, Ferdinandi skaliti përfundimisht portretin e tij dhe u bë padyshim një autoritet në hierarkinë e vlerave intelektualo- shoqërore të dobisë kombëtare.

Zëri i veçantë në këto raste përcolli ide demokratike shumë interesante, shumë të nevojshme në kakofoninë e abuzuar të lirisë, sepse ai i thurte himn harmonisë fetare, tolerancës, bashkëjetesës, paqes, virtyteve dhe u bë kështu një zë mjaft i dashur për të rritur besimin e njerëzve tek Zoti, tek atdheu, tek kombi.

Ai ka moderuar me dinjitet profesional ardhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Konferencës Islamike Abdyl El Gambi në vitin 1991, ardhjen e Papa Gjon Palit të II në 25 prill 1993, ardhjen e patriarkut Vartholomeu i I në 10 gusht 1997, ardhjen e Papa Françeskut në 21 shtator 2014, ardhjen e Patriarkut të Moskës dhe Gjithë Rusisë Kirillit në 20 prill 2018, e shumë e shumë evente të tjera.

I gjithë ky aktivitet përfshinë intervista, kronika e programe që u përshëndetën nga këta personalitete veçanërisht për pasqyrimin me dinjitet dhe integritet njerëzor.

Diaspora është një dashuri dhe përkushtim i tij si gazetar, të cilën ai e ka ushqyer në këto 30 vjet me dashurinë për kombin, Zotin, besimin përkatës, dhe mbi të gjitha për atdheun.

Ai është vlerësuar nga shumë institucione kombëtare e ndërkombëtare me tituj e çmime, nga Papa Françesku në vitin 2015, është cilësuar si ambasador i paqes dhe mbi të gjitha në këtë udhëtim të gjatë të jetës së tij gjysmëshekullor si gazetar, ai është i njohur prej të gjithë shqiptarëve, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut e Malin e Zi, të cilëve iu është gjendur si gazetar për të gjitha problemet sociale, fetare, shoqërore dhe kombëtare.

Ndaj edhe në vlerësim të gjithë këtij aktiviteti jetësor dhe profesional kam sot kënaqësinë që të vlerësoj me propozimin e të gjithë drejtuesve të besimeve tona fetare,  zotin Ferdinand Samarxhi me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, duke i uruar suksese në të ardhmen.  

 

1636379515_25a9606230514ed794fc3e544f13071a.jpg 

Foto nga Ceremonia në Presidencë

Komento

Komente

  • Dekorata: 08/11/2021 15:14

    Ky samarxhiu e merr dekoraten se si duket mban trasten me flori te baba mondit,qe jane florinjte e vjedhur te baba likes ne krrabe.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?