Presidenti Ilir Meta në kuadër të kremtimit të 100-vjetorit të Luftës së Vlorës vlerëson Orkestrën Frymore të Forcave të Armatosura me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.
Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura është vlerësuar me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, me motivacionin: “Si vijuese e traditës së madhe të muzikës patriotike, luftarake dhe marciale kombëtare të themeluar nga Banda Kombëtare “Vatra”, për popullarizimin me shumë sukses të krijimtarisë muzikore shqiptare dhe repertorit më të njohur ndërkombëtar në Shqipëri; si orkestra e shtetit shqiptar, që me cilësi artistike dhe disiplinë ushtarake, ka zbatuar në çdo kohë me përpikëri e përkushtim Protokollin e Shtetit Shqiptar, si formacioni muzikor unik që lartëson vlerat e Himnit dhe Flamurit tonë Kombëtar përmes interpretimeve dinjitoze e solemne”.
Meta gjatë ceremonisë së dekorimit theksoi se Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura është e vetmja orkestër frymore profesioniste në Shqipëri, pasardhëse e denjë e bandës "Vatra". "Ky shembull frymëzimi duhet të na shërbejë edhe sot për të rinjtë tanë, për profesionistët apo të gjitha kategoritë e shoqërisë që e duan atdheun, se pavarësisht fushave nga vijnë, mund t’i shërbejnë Shqipërisë, zhvillimit dhe përparimit të popullit shqiptar”, tha Meta. Presidenti Meta thekson se ky shembull frymëzimi duhet të na shërbejë edhe sot për të rinjtë, për profesionistët apo të gjitha kategoritë e shoqërisë që e duan atdheun, se pavarësisht fushave nga vijnë, mund t’i shërbejnë Shqipërisë, zhvillimit dhe përparimit të popullit shqiptar.
Fjala e plotë e Metës:
Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura është vazhduesja e traditës së Bandës Kombëtare VATRA, duke patur si bërthamë të lindjes së saj pikërisht këtë bandë. Si Banda Presidenciale dhe ajo Mbretërore të themeluar nga Mbreti Zog, ashtu edhe Orkestra Frymore e Ushtrisë e themeluar në vitin 1944, u ndërtuan mbi bazën e elementëve instrumentistë të Bandës VATRA të ardhur në Luftën e Vlorës dhe që qëndruan në Shqipëri. Ish-pjesëtarët e bandës muzikore VATRA ishin muzikantёt mё të përgatitur për interpretimin e repertorit patriotik. Gjatë luftës Nacional Çlirimtare shumë muzikantë morën armët dhe veglat e tyre muzikore, duke formuar jo vetëm orkestrën e ushtrisë, nën drejtimin e dirigjentit partizan Kristaq Panduku, por edhe një formacion ushtarak, që dha kontributin e tij në luftën për çlirimin e vendit
Në përfundim të luftës, orkestra frymore i dha atdheut dëshmorët e saj si Abdulla Beja dhe Vlash Parapani. Disa prej tyre të plagosur rëndë, si muzikanti partizan Petraq Quka, mbetën invalidë për tërë jetën. Dukej se po përsëritej epopeja e Bandës VATRA: Me pushkë dhe vegël muzikore për atdhenë! Historia e Orkestrës Frymore të Ushtrisë apo Bandës së Ushtrisë, pas çlirimit të vendit, është e pasur me koncerte e aktivitete të shumta kulturore e artistike. Duke filluar me daljen e saj të parë zyrtare në Tiranën e çliruar më 18 nëntor 1944, për të vijuar më tej me koncerte, përgatitjen e paradës së parë të forcave partizane, etj. Banda e Ushtrisë kishte ende në radhët e saj ish-muzikantët e VATRËS si dhe muzikantë të huaj, të cilët ishin angazhuar në formacionin e ri frymor në radhët e ushtrisë partizane. Detyrat e Bandës së Ushtrisë kanë qenë të shumta si në pritjet zyrtare shtetërore, në manifestime kulturore e sportive, ceremoni e parada ushtarake, përvjetorë e aksione kombëtare. Kontributi i saj po ashtu ka qenë shumë i madh, si për krijimin e orkestrës filarmonike shqiptare dhe të Ansamblit të Ushtrisë, ashtu edhe për rritjen cilësore të orkestrave të ndryshme ushtarake. Sot Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura (OFFA) është formacioni muzikor artistiko-ushtarak që shërben dhe ka si mision të tij ceremonialin ushtarak dhe shtetëror, duke u përfaqësuar denjësisht në festa kombëtare dhe aktivitete ndërkombëtare. Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura është e vetmja orkestër frymore profesioniste në Shqipëri, pasardhëse e denjë e bandës "Vatra". Paraardhësit e muzikantëve, që sot shërbejnë në ceremonialin e shtetit, paradat ushtarake dhe festat kombëtare, ishin emigrantë, që gjatë javës punonin fabrikave dhe fermave bujqësore amerikane, dhe të dielave stërviteshin në instrumente duke kënduar Marsejezën dhe Himnin Kombëtar Shqiptar. Ky shembull frymëzimi duhet të na shërbejë edhe sot për të rinjtë tanë, për profesionistët apo të gjitha kategoritë e shoqërisë që e duan atdheun, se pavarësisht fushave nga vijnë, mund t’i shërbejnë Shqipërisë, zhvillimit dhe përparimit të popullit shqiptar. Në nderim të gjithë veprimtarisë, si formacion unik, interpretuesi dhe prezantuesi më dinjitoz i trinomit -Komb - Flamur – Himn, vlerёsoj Orkestrёn Frymore tё Forcave tё Armatosura me titullin e lartë “Kalorës i Urdhërit të Flamurit”.
Meta gjithashtu ka vlerësuar edhe Bandën Kombëtar Muzikore “Vatra” dhe themeluesin e saj, dirigjentin dhe kompozitorin Thoma Nasi, me Dekoratën “Nderi i Kombit.”
Like ne cfare lloj metali i ben dekoratat??
PërgjigjuO like i bere parate e taksapaguesbe rrush e kumbulla shperndan dekorata pa vlere, kot, kete pune do ta bente me mire veri llapa hunderi se sa anagazhimi i nje tabori presidencial qe ben mire vetem punen e ndarjes se dekoratave prej llamarine qe si hyjne ne pune as dreqit.
Përgjigju