Presidenti i i vendit Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët ortdoksë për festën e Pashkës. Në mesazhin e tij Meta duke iu referuar situatës që po kalon vendi si shkak i COVID-19,shprehet se sot kjo festë nuk kremtohet ashtu siç duhet,
Sivjet, një armik i padukshëm, që po kushtëzon mendimet dhe sjelljet tona të përditshme, na detyron mos ta kremtojmë siç do donim këtë Festë të Madhe e të Shenjtë. As Dritën e Ngjalljes nuk do mundemi dot ta marrim sot në Kishë dhe ta kalojmë nga dora në dorë, për ta çuar në shtëpitë tona.
Në mesazhin e tij Meta thekson se mbështetja të njëri-tjetri na çliron nga frika dhe na ndihmon në luftën ndaj pandemisë që është shtrirë në të gjithë botën,
Krishti i Ngjallur na mëson: MOS KINI FRIKË! Le të falim sot më shumë solidaritet mbarëkombëtar dhe paqe, me fjalë e vepra të thjeshta dashurie, le të ndajmë sot të mirat dhe gëzimet tona, për të ndriçuar honet e errëta të ndasive, zbrazëtisë së brendshme, vetmisë dhe varfërisë, veçanërisht të atyre që vuajnë nga mjerimi, dhimbjet dhe braktisja. Le të shpërndajmë sot Dritën e Ngjalljes tek të gjithë, për të mbështetur njëri-tjetrin në betejën e përgjithshme për t’u çliruar nga frika dhe pandemia dhe për t’u bashkuar me njëri-tjetrin në një përpjekje të re në të mirë të lirisë së shpirtit, drejtësisë, të vërtetës, begatisë, mirëkuptimit, pajtimit, vëllazërimit dhe dinjitetit tonë njerëzor.
Në këtë ditë të veçantë mesazhi i Metës shkon dhe për stafin mjekësor:
Le të lutemi sot edhe për heronjtë e ditëve tona, mjekët dhe infermierët, e për këdo që është në vijën e parë të mbrojtjes së shëndetit dhe të sigurisë të çdo qytetari. Por edhe për priftërinjtë e klerikët që në krye të misionit të tyre hyjnor e fisnik po bëjnë aq shumë për ne të gjithë në këto momente tepër të vështira, veçanërisht për komunitetet më të përvuajtura.
Presidenti Meta në fund të mesazhit të tij apelon që kremtimi i kësaj Pashke të vij me frymë, energji dhe shpresa të ripërtërira, me ngjallje të vërtetë në shpirtra e zemra, për një shoqëri solidariteti dhe përgjegjësie të përbashkët.
Lajmi kryesor:
Pashkët ortodokse në kohë koronavirusi, politika shqiptare uron për paqe e reflektim
//ReportTv.al