'Metamorfoza', kërkoi ndryshim të masës së sigurisë, Apeli i GJKKO lë në burg Oltion Bistrin

5 Prill, 11:28| Përditesimi: 5 Prill, 11:43

  • Share

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masën e 'arrestit në burg' për Oltion Bistrin, ish-shefin e operacionales, i cili u arrestua në 27 korrik 2023 në kuadër të operacionit 'Metamorfoza'. 

Bistri përmes avokatit, ankimoi vendimin e GJKKO, më datë 28 mars të këtij, për ta vënë atë në masën e arrestit. Kjo kërkesë u rrëzuar ditën e sotme nga gjyqtarja Saida Dollani dhe u la në fuqi masa e arrestit në burg.

Oltian Bistri rezulton të ketë mbajtur detyrën e shefit të Komisariatit nr. 2 në Tiranë, ndërsa në korrik 2021 u emërua drejtori i Policisë së Durrësit, detyrë që e mbajti për disa muaj. Pas ardhjes në krye të bluve të Gledis Nanos, Bistri u transferua drejtues në Lezhë, për të qëndruar vetëm pak muaj dhe sërish me vendim të Gledis Nanos mori emërimin në krye të Forcës së Posaçme Operacionale.

SPAK zbardhi një vrasje dhe tri tentativa vrasjesh falë bisedave të grupeve kriminale të kryera në aplikacionet ‘SKY’ dhe ‘Encro chat’, ku u zbulua se ish-shefi i Operacionales, komunikonte me biznesmenin Pëllumb Gjoka, (i arrestuar) pasi ushtronte veprimtari të lojërave të fatit në Tiranë në mënyrë të kundraligjshme.

Ish Shefi i Operacionales, i tregon sesi ka hyrë ‘mik’ që të mbante fjalën e tij dhe kazinoja e Pëllumb Gjokës mos të prekej. Në disa prej bisedave të dala nga dosja, ku Gjoka dhe Bistri komunikonin në ‘Sky’, duket se Bistri shërbente si informatori i gjithçkaje çfarë ndodhte në godinën e Policisë së Shtetit.

SPAK ka sekuestruar 3 apartamente të Oltion Bistrit në Tiranë, 2 prej tyre me sipërfaqe përkatësisht nga 400 m2, dhe me vlerë totale 400 mijë euro. Po ashtu ka sekuestruar edhe një apartament me sipërfaqe 110.6 m2 me çmim shitje 50300 euro po në Tiranë.

Bistrit i janë sekuestruar edhe dy dyqane. Një dyqan me sipërfaqe 125 m2 me çmim total prej 300 mijë eurosh i ndodhur në Tiranë, si dhe një tjetër dyqan me sipërfaqe 95 m2 me vlerë 230 mijë euro po në Tiranë.

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?