Pas humbjes së procesit në Gjykatën Kushtetuese për të rrëzuar përgjimet e platformës së koduar SKY ECC për dosjen “Metamorfoza”, biznesmeni i arrestuar nga SPAK hap një tjetër betejë ligjore dhe juridike e Prokurorinë e Posaçme.
Kërkon heqjen e sekuestros së 390 mijë metra katrorë sipërfaqe toke (39 ha). Kërkesa është depozituar në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo e fundit në mbledhjen e mbajtur ka vendosur që ta kalojë për seancë plenare mbi bazë dokumentesh këtë çështje.
Padia ku pretendohet shkelja e ligjit kushtetues, është përcjellë nga i pandehuri Pëllumb Gjoka, i cili mbahet i paraburgosur, si edhe nga përfaqësuesi Kolë Gjoka dhe ‘Shoqëria Imperial Group’, që pretendojnë se kjo pasuri është ne emër të tyre dhe jo të biznesmenit.
Si palë e interesuar është Prokuroria e Posaçme, e cila ka bllokuar gati 390 mijë metra katrorë tokë në zonën e Velipojës, nën dyshimet se janë përftuar përmes falsifikimit
Por në padi insistohet se sekuestro preventive duhet shfuqizuar si e papajtueshme me Kushtetutën, me argumentin se rezultojnë të regjistruara në ASHK në emër të një shoqërie dhe të shtetasit Kolë Gjoka.
Më 23 Tetor 2023 GJKKO e shkallës së parë vendosi sekuestron që u konfirmua edhe nga Apeli më 27 nëntor 2023, duke e lënë në fuqi dhe në fund, më 7 mars 2024 edhe Gjykata e Lartë.
Kjo pasuri është e sekuestruar nga të treja shkallët e drejtësisë. Dosja ‘Metamorfoza’ ka përveç Pëllumb Gjokës si të pandehur, ish-kreun e Operacionales së Policisë, Oltion Bistri, ish-prokurorin Xhevahir Lita dhe anëtarë të grupit të Bajrave në Shkodër, teksa dosja është dërguar për gjykim.