Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani mori pjesë në mbledhjen e parë të përbashkët të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë me fokus tek inspektimet tematike.
Kjo iniciativë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë u mbështet nga projekti EU4Justice. Në fjalën e tij përshëndetëse, Metani tha se sistemi i drejtësisë në Shqipëri, jo vetëm po përballet me sfidën e ringritjes dhe riorganizimit të tij, pas një reformimi të thellë, por duhet edhe të ruajë një ekuilibër të drejtë, ndërmjet problematikave dhe vështirësive që përjeton, si dhe besimit apo kërkesave të publikut për një drejtësi cilësore, efikase, të shpejtë dhe me integritet.
Metani tha se duhet një qasje e re, përmes orientimit tek cilësia dhe performanca e sistemit gjyqësor.
“Sot mendoj se ka ardhur koha që të gjithë ne duhet t’i drejtojmë qëllimet, si dhe veprimtarinë e institucioneve tona, nga modeli i organeve të inspektimit të fokusuar në vlerësimin individual të gjyqtarëve dhe prokurorëve drejt vlerësimit të cilësisë dhe performancës së sistemit gjyqësor në tërësi, përmes një modeli të bazuar në inspektimin e gjykatave dhe prokurorive”, tha ai.
Duke u ndalur tek inspektimet tematike të kryera nga ILD, Metani nënvizoi se synimi i tyre ka qenë konstatimi i problematikave në sistem e drejtësisë dhe rekomandimin e zgjidhjeve, rekomandime, që i kanë shërbyer përmirësimit të funksionalitetit të gjykatave dhe zyrave të prokurorive në shërbim të dhënies së drejtësisë ndaj publikut.
Nga ana tjetër, ai e vuri theksin tek bashkëveprimi dhe koordinimi ndërmjet institucioneve të drejtësisë, si një element i nevojshëm, jo vetëm në paraqitjen e propozimeve për kryerjen e inspektimeve tematike, por në vijimësi në fushat me impakt në veprimtarinë e magjistratëve.
Fjalë përshëndetëse në nisje të mbledhjes mbajtën kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë Mirela Bogdani, kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor Ilir Rusi dhe Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela.
Mbi perspektivën e Këshillave, roli, përfshirja dhe bashkëpunimi mbi inspektimet tematike referuan kryetari i Komisionit të Përhershëm Disiplinor të KLP, z. Zeqir Hoda dhe në emër të Komisionit të Përhershëm Disiplinor të KLGJ Emona Muçi.
Metani bëri një paraqitje mbi “Situatën aktuale të Inspektimeve Tematike përmbledhje historike, gjendja e bashkëpunimit ndërinstitucional, gjetjet kryesore dhe rekomandime”. Takimi u mbyll me diskutime e propozime mbi përmirësimin e koordinimit dhe bashkëpunimit institucional për inspektimet tematike.
Përgjatë periudhës Shkurt 2020 – Prill 2025, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka zhvilluar 10 inspektime tematike pranë gjykatave si dhe zyra të prokurorisë. Në total janë propozuar 108 rekomandime të cilat janë adresuar subjekteve të inspektimeve por edhe organeve të tjera.
ILD, përveç rekomandimeve të lëna për subjektet e inspektimit ka dhënë rekomandime edhe për organe të tjera, veprimtaria e të cilave ndikon në performancën e sistemit gjyqësor, siç janë masat për: Propozim për ndryshime të akteve apo nxjerrjen e tyre; Ndryshim të praktikës administrative të ndjekur duke propozuar masa për veprime administrative; Fuqizim të kapaciteteve të burimeve njerëzore duke propozuar ndjekjen e tematikave të caktuara në formimin vazhdues të magjistratëve. Disa metoda në aspektin administrativ mund të zbatohen nga vetë gjykatat për të nxitur përkohësisht përshpejtimin e gjykimit të çështjeve.
Inspektimet tematike kanë nxjerrë në pah edhe veprime apo mosveprime të magjistratëve, ndaj të cilëve Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka filluar verifikimin, rezultatet e të cilit kanë çuar në përgjegjësi disiplinore për disa magjistratë dhe vijon puna për verifikimin e rasteve të tjera. Në vijim po japim një panoramë dhe një përmbledhje të disa prej inspektimeve tematike të realizuara nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Komente

Mjer Shqiperia per kete institucion dhe per drejtesine qe populli I besoi shume , eshte puna juaj e dobet qe ka rene besimi ne popull more z.Artur Metani .Spaku eshte I tredhur nga saliu qe po ju quan organizzate kiminale dhe ju rini dhe degjoni .Se jeni te zot ta çoni perpara reformen veproni ne mos largohuni pa i sosur durimi popullit
Përgjigju