Personazhe surrealë, historik e situata të ambientuara sipas rrjedhës së realitetit, regjisori Vladimir Doda, rikthen magjinë e komedisë së artit përmes premierës “Princesha e Dyrrahut”.
Për dy ditë radhazi, në skenën e “Eksperimentalit”, trupa e Teatrit të Durrësit “Aleksandër Moisiu”, i ‘servir’ publikut një teatër brenda teatrit, me një sërë skenarësh, ku elementë të së kaluarës dhe aktualiteti harmonizohen me finesë.
“Komedia e artit për të qenë sa më lart, kërkon një ambientim, është një lloj deklaazhi spostim në kohë për të mos u bërë të mërzitshëm, nëse flasim për aktualitetin, dhe për të kërkuar një lloj dëfrimi tek publiku”, thotë regjisori Doda.
Fenomeni i silikonit, prania e dendur e kulturës turke, emigracioni, korrupsioni e deri tek rasti i “5 majit”, janë vetëm disa nga copëzat e aktualitetit të sjella përmes lojës së aktorëve, ku edhe vetë Doda interpreton rolin e Valerios.
“Ky është realiteti shqiptar, duhet të flasim dhe për të. Mbase e vetmja gjë që kam evituar, është që të ushqejmë ne disa fenomene mediatike. Ndërsa për realitetin politik dhe ekonomik ne duhet të flasim, dhe kush mund ta bëjë më mirë sesa tatri”, shton më tej.
Komedia e shkruar nga Doda të shpie pas në kohë, në shekullin e XII-të, tek personazhi i princeshës së Bizantit, Ana Komnenas, i interpretuar nga Mimoza Marjanaku. Ndërsa kamuflimi i saj si ‘zonja Lukrecia’, të kujton të parën grua që u ngjit në një skenë teatrale, pikërisht përmes këtij zhanri që lind në shekullin e XVI-të.