Meteorologët në alarm, temperatura rekord në shtator 2023! Shkak dora e njeriut dhe fenomeni ‘El Nino’! Shërbimi evropian: Masa urgjente për klimën

5 Tetor 2023, 09:07| Përditesimi: 5 Tetor 2023, 10:00

  • Share

Planeti tokë ka parë këtë shtator temperaturat më të larta të regjistruara ndonjëherë. Meteorologët dhe shkencëtarët thonë se shkak është bërë dora e njeriut por edhe fenomeni oqeanik “El Nino”. Në këto kushte ata kërkojnë veprime urgjente për klimën.

Temperaturat globale u rritën në një rekord të ri në shtator me një diferencë të madhe në krahasim me vutët e shkuara duke çuditur shkencëtarët.

Ky muaj mposhti rekordin e mëparshëm të rritjes së temperaturave me 0.5 gradë Celsius, duke u bërë 1.8 gradë më shumë se në nivelet para-industrale.

Shkencëtarët evropianë dhe japonezë vunë në dukje se nxehtësia është rezultat i niveleve të larta të emetimeve të dioksidit të karbonit të kombinuara me fenomenin klimatik El Nino që karakterizohet nga rryma jashtëzakonisht të ngrohta në Paqësor.

Është e sigurt që viti 2023 do të jetë më i nxehti i regjistruar, por 2024 mund ta tejkalojë atë, pasi ndikimi i ngrohjes i El Niño ndihet më shumë në vitin pas fillimit të tij.

Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike të BE-së tha se temperaturat e paprecedenta të vërejtura në shtator kanë thyer rekorde me një shpejtësi të frikshme.

“Dy muaj pas konferencës së OKB-së për klimën, urgjenca për veprime ambicioz për klimën nuk ka qenë kurrë më kritike”, thanë zyrtarë të këtij shërbimi.

Nxehtësia arriti nivele rekord edhe në shumë vende, duke përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Poloninë. Mbretëria e Bashkuar pa shtatorin e saj më të nxehtë të regjistruar, raportoi Met Office, në të dhënat që datojnë në 1884.

Shkencëtarët thanë se ngjarjet e jashtëzakonshme të vitit 2023 mund të jenë një vit normal në vetëm një dekadë, nëse nuk ka një rritje dramatike të veprimit klimatik. Studiuesit theksuan me shumicë dërrmuese emergjencën e një veprimi: Uljen e djegies së lëndëve djegëse fosile në zero.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?