Editorial

"Metoda Bollino", skema kriminale e shpifjeve dhe kërcënimeve publike e ideuar nga Berisha për të trembur çdo kundërshtar

3 Mars, 16:44| Përditesimi: 3 Mars, 16:59

  • Share

Ndërmjet gushtit dhe shtatorit të vitit 2009, opinioni publik italian u trondit nga një skandal mediatik që më pas u shndërrua në një çështje politike. Dino Boffo, drejtor i gazetës Avvenire, një e përditshme pranë Vatikanit, u vu në shënjestër të një fushate shpifjeje vulgare e drejtuar nga gazetari Vittorio Feltri dhe Il Giornale, gazeta ku ai ishte drejtor dhe që ishte në pronësi të Silvio Berlusconit, lider i Forza Italia dhe në atë kohë kryeministër i Italisë. Shpifja, e përsëritur në disa artikuj, doli të ishte plotësisht e pavërtetë dhe nuk ishte gjë tjetër veçse një hakmarrje politike për ta diskredituar Boffo, pasi kishte shkruar disa editorialë kundër Silvio Berlusconit. Një gjykatë konstatoi se akuzat e Feltrit ishin false, ai kërkoi falje por pavarësisht kësaj u pezullua për disa muaj nga profesioni nga Urdhri i Gazetarëve. Sepse publikimi i lajmeve të rreme në Itali nuk është vetëm një vepër penale dhe civile, por edhe një shkelje etike dhe deontologjike.

Ky sulm ndaj një gazetari, me lajme të rreme dhe për arsye qartësisht politike, tronditi aq shumë Italinë, komunitetin e gazetarëve, politikën dhe opinionin publik, saqë edhe sot, pas 17 vjetësh, nëse kërkon në internet për "metodën Boffo", gjen si përgjigje që "është një shprehje e përdorur në gjuhën politike dhe gazetareske për të përshkruar një fushatë shpifjeje në media, e cila bazohet në fakte të përziera me gënjeshtra dhe aludime, një e vërtetë e dyfishtë që ka për qëllim diskreditimin e një kundërshtari politik. Shprehja "metoda Boffo" është futur tashmë në zhargonin politik italian, duke u bërë sinonim i makinerisë së baltës".

Kjo histori përkon plotësisht me atë që prej vitesh ndodh dhe fatkeqësisht vazhdon të ndodhë edhe në Shqipëri. Edhe në Shqipëri ekziston e njëjta skemë kriminale politiko-mediatike e bazuar në linçimin publik, shpifje dhe tani edhe në kallëzimet e rreme, të cilat kanë si qëllim të vetëm delegjitimimin dhe terrorizimin e "armikut". Ideatori i kësaj skeme, e cila ka mbërritur në vendin tonë shumë kohë para se Dino Boffo ta përjetonte në Itali, është Sali Berisha, i cili e përdor këtë metodë prej më shumë se 30 vjetësh. Në vitet e para të pushtetit të tij, Berisha shfrytëzonte thjesht bashkëpunimin e disa mediave, më pas shpiku "qytetarin dixhital" për të simuluar një burim të pavarur të cilit t’i atribuoheshin shpifjet, ndërsa kohët e fundit përdor, përveç gazetarëve "investigativë" dhe analistëve të paguar, edhe një grup politikanësh pa asnjë etikë dhe dinjitet, të cilët zbatojnë verbërisht urdhrat e tij. Ata janë kamikazë të rekrutuar nga shtresat më të ulëta të politikës, ashtu siç terroristët rekrutojnë kamikazët nga shtresat më të varfra të shoqërisë.

Kjo skemë kriminale nuk është e pafuqishme, siç mund të mendohet. Objektivi i saj është pikërisht linçimi dhe kërcënimi publik i kujtdo që guxon të sfidojë Berishën, për t’ia mbyllur gojën. Por jo vetëm kaq! Skema u shpik dhe aplikohet nga Berisha edhe, sidomos, për të trembur, terrorizuar, paralizuar, cilindo tjetër rreth viktimës, që do të mund t’i shkonte nëpërmend të solidarizohej. Një taktikë që në Shqipëri i ka funksionuar dhe vazhdon t’i funksionojë me sukses për mbi 30 vite rresht. Le ta shohim të shtjelluar më tej.  

Mjafton të ndjekësh studiot televizive, rrjetet sociale ose debatet politike dhe është e lehtë të kuptosh se, me kalimin e kohës, zërat kundër Berishës janë zhdukur pothuajse tërësisht! Me përjashtime shumë të rralla dhe të guximshme, dezinformimi i Berishës dhe klanit të tij duket se ka gjithmonë fjalën e fundit. Por në realitet, është frika nga linçimi publik qe ka fituar, e cila ka strukur zërat kritikë. Prova qëndron në sondazhet që tregojnë se, kur njerëzit mund të shprehen nën mbrojtjen e anonimatit, Berisha dhe partia e tij vazhdojnë të jenë humbës. Dhe e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe në fshehtësinë e kutive të votimit.

Që nga ky moment këtë skemë kriminale për ta evidentuar lehtësisht do ta quaj: "Metoda Bollino". Nuk po e quaj me emrin tim për ndonjë megalomani, por vetëm sepse jam viktima më e vjetër dhe e pandërprerë e saj. Natyrisht, ka pasur shumë raste të tjera, por unë jam i vetmi që kam mbetur i ngujuar në këtë kurth për 31 vjet pa ndërprerje. Vetëm për këtë arsye e pagëzoj me emrin tim, por qindra të tjerë në Shqipëri mund të identifikohen njësoj në këtë mekanizëm.

Shumë, ashtu si unë, kanë hyrë në "makinën grirëse" të Berishës që nga viti 1994 (mendoj për Nikollë Lesin, Aleksandër Frangajn dhe shumë kolegë të Koha Jonë, për të mos përmendur politikanë si Fatos Nano, Azem Hajdari ose Gramoz Pashko), por më pas kanë dalë prej saj. Shumë të tjerë janë bërë viktima pas meje (mendoj për kolegë të Top Channel, duke filluar nga i ndjeri Dritan Hoxha, themeluesi i televizionit, Sokol Balla, Mero Baze, apo politikanë si Edi Rama, Erion Veliaj ose Lulzim Basha), që ende nuk kanë dalë prej saj. Por rekordin e trishtueshëm të kohëzgjatjes e mbaj vetëm unë: që nga viti 1994 jam në shënjestër të baltës së tyre. Për mua, "metoda" zgjat tashmë 31 vjet!

Ku konsiston? "Metoda Bollino" bazohet në një mekanizëm shumë të thjeshtë: kërcënimi dhe shpifja sistematike, e vazhdueshme, e përsëritur ndaj viktimës së radhës. Në muajt e fundit, përveç shpifjeve, janë shtuar edhe letrat anonime dhe kallëzimet e rreme. Kushdo që guxon të kritikojë Berishën ose klanin e tij (apo edhe thjesht refuzon të bëhet zëdhënës), i nënshtrohet "metodës", derisa nga frika ose dëshpërimi të heshtë apo të tërhiqet.

Vetëm gjatë vitit të fundit, për shembull, kjo metodë kundër meje ka kaluar çdo kufi:

  • Shtatë konferenca për shtyp të dedikuara vetëm për të më shpifur, të mbajtura madje në selinë e Partisë Demokratike dhe të transmetuara live nga 9 televizione.
  • Katër fjalime në parlament nga deputetë të Partisë Demokratike.
  • Nëntë debate televizive dhe tre emisione "investigative" në televizionin e familjes Berisha, ku isha objektivi kryesor, pa të drejtë replike apo mbrojtjeje.
  • Tre protesta në shesh, ku në pankarta shfaqej fotografia ime.
  • Qindra postime në rrjetet sociale, të shoqëruara nga mijëra komente të urrejtjes nga militantët.
  • 300 artikuj shpifës vetëm në dy portale të financuara me para cash (pra para të pista) nga familja Berisha.
  • Një numër i paspecifikuar kallëzimesh të rreme edhe kunder meje (qe as nuk jam zyrtar publik) të dorëzuara në SPAK nga përfaqësues të Partisë Demokratike, thjesht për ta përdorur si tjetër argument baltosje dhe shantazhi që tani edhe unë jam nën hetim!

Autorësia nga eksponentë të Partisë Demokratike e të gjithë këtyre veprimeve publike, janë prova të pakundërshtueshme se kjo fushatë shpifjesh është totalisht dhe ekskluzivisht politike. Sot, edhe kandidatja e më e fundit dhe e papërfillur për primaret e PD-së, e cila nuk u votua as nga familjarët e saj, e ndjen veten të lirë të më kërcënojë publikisht! Berisha dhe partia e tij e mburrin këtë metodë, sepse duke më goditur mua, frikësojnë edhe qindra të tjerë: tamam si vepronte Musolini në prag të regjimit fashist!

Sa gazetarë sot, sado idealistë dhe të bindur për ndershmërinë e tyre, janë të gatshëm të përballojnë një linçim të tillë publik? Shumë pak! Ja pse sot, ata që guxojnë të flasin publikisht kundër Sali Berishës dhe të kaluarës së tij kriminale janë gjithnjë e më të paktë. Diktatori italian Benito Mussolini ishte ai që teorizoi se "ka vetëm një metodë më efikase se propaganda për të rreshtuar njerëzit nga ana jote, dhe ajo është frika!" Kjo metodë, pra, është fashizëm!

Strategjia e Berishës është edhe më e poshtër se "metoda Boffo" e përdorur në Itali. Ai, nga njëra anë, linçon gazetarët "armiq", ndërsa nga ana tjetër, përpiqet t’i blejë ose t’i joshë ata për t’i bërë të rreshtohen në anën e tij. Përballë alternativës mes të qenit të linçuar ose të rekrutuar (apo madje të paguar), për disa zgjedhja është e qartë dhe nuk lë vend për dilema.

E njëjta skemë kriminale e "metodës Bollino" nuk përdoret nga Sali Berisha vetëm kundër gazetarëve, por edhe kundër gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, politikanëve, biznesmenëve, aleatëve dhe madje edhe kundër ambasadorëve të huaj. Le të mendojmë për "metodën" e rezervuar për ish-ambasadorin Bochard apo për Yuri Kim. Le të kujtojmë "metodën" e përdorur kundër Lulzim Bashës dhe në të kaluarën kundër të gjithë themeluesve të PD-së. Le të kujtojmë "metodën" e rezervuar për kryetarin e Kasacionit, Zef Brozi, për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Kristaq Luniku, apo për prokuroren e përgjithshme Ina Rama. Lista e viktimave të skemës kriminale të Sali Berishës, në të vërtetë, është e pafundme.

Por pa shkuar aq larg në kohë, le të mendojmë për "metodën" e përdorur prej muajsh e deri këtë mëngjes kundër prokurorit të SPAK-ut, Altin Dumani, kolegut të tij, Arben Kraja, dhe gjyqtareve të GJKKO-së, Irena Gjoka dhe Enkeleda Millonaj! “Faji i tyre” është i thjeshtë: kanë hetuar ndaj familjes Berisha. “Metoda” nuk lë rrugë shpëtimi: Kush prek Berishën, linçohet, dhe për të shpëtuar mjafton të prekin kundërshtarët e tij.

Skema është si një kuçedër me shumë koka që rigjenerohet vetvetiu, sepse për ta çmontuar atë, duhet të kundërshtohet. Por sapo dikush e kundërshton, ndaj tij shpërthen një fushatë bullizmi dhe viktima e radhës përfshihet nga e njëjta makinë balte, të cilën kërkonte të denonconte.

Duhet guxim për të folur kundër Sali Berishës dhe klanit të tij të gangove dhe kamikazëve, duhet guxim për të thënë të vërtetën, dhe kjo është dëshmia e dëmit vdekjeprurës që Sali Berisha dhe ‘’metoda’’ e tij i kanë shkaktuar lirisë dhe demokracisë së vendit.

Kundër "metodës Boffo" në Itali u rreshtuan prokuroria dhe gjykatat (që reaguan pa asnjë kompleks), 90% e gazetarëve dhe e gjithë politika, pa dallim partie. Madje edhe Berlusconi, për shkak të skandalit të ngritur, u distancua publikisht nga shpifjet e botuara nga gazeta e tij. Vetëm falë këtij reagimi, ai sistem kriminal mbeti i izoluar në librat e historisë.

Po në Shqipëri? Sa veta rebelohen kundër "metodës Bollino", e cila, pavarësisht emrit të saj, në të vërtetë kërcënon të gjithë? Në Shqipëri janë viktimat e "metodës" që izolohen, rreth tyre krijohet një tokë e djegur dhe ata që i shpëtojnë linçimit, marrin frymë lehtësimi dhe harrojnë, duke shpresuar që “kuçedra” Sali të merret ndërkohë me dikë tjetër.

a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • xhemal: 03/03/2025 19:53

    E keqja eshte se salizmi eshte bere ideollogji e dhunes,shpifjes,percarjes,zhvatjes ,genjeshtres ,ideollogji e frikes mosbesimit tek istitucionet ,etj dhe per ta luftuar po' harxhohet e do vazhdoje te harxhohet shume energji njerezore..sot kujtojme marsin e 1997,marsin e zi te shembjes te cdo gjeje te mire te ndertuar me sakrifica,viktimat nga pushteti i salinjve..akoma kjo tragjedi nuk eshte analizuar mire ,ndersa per drejtesi as nuk mund te flitet..karlo eshte ndoshta nga gazetaret e rralle ne shqiperi qe flet e shkruan me fakte e prandaj goditet..por te jete i sigurte se mbeshtetet nga pjesa me e madhe e shqipetareve

    Përgjigju
  • Tami: 03/03/2025 17:41

    Z.Bollino, nuk gjej fjale te shpreh mirenjohjen time dhe shume njerezve te tjere per shpirtin fisnik qe keni dhe te vertetat e medha qe hidhni mbi tavoline per te gjithe ata qe duan te degjojne dhe ta shohin kercenimin Berisha me syrin realdhe teper shqetesu s. Kryeministri i Shqiperise duhet ta lexoje mire realitetin Berisha ne Shqiperi, para se te jete vone. Mos te meret me Noc Rrokun imagjinare( per fat te keq eshte bere personazh), por me Noc Rrokun e vertet , qe po shkateron dhe gryen demokracine ne shqiperi, me kete motivacion ka mare dhe nongraten. Familja e korruptuar dhe kriminale Berisha eshte makineri e krimit ne Shqiperi. Faleminderit qe vazhdoni te jeni besnik i gazetarise profesionale . Shume shqiptare ju duan dhe respektojne.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A nxorën primaret e PD-së kandidatët më të mirë për 11 majin?