Grupet kriminale të trafikimit të drogës kanë zbuluar një metodë të re për kontrabandimin e saj nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të Europës, duke shmangur metodat tradicionale. Nga Kolumbia, gjithçka është zhvendosur në Kosta Rika, një shtet në Amerikën Qendrore, mes Nikaraguas dhe Panamasë. Ky ndryshim u bë pasi kontrolli detar dhe ajror në Kolumbi dhe vendet e tjera të Amerikës Latine u rrit dhe sofistikua ndjeshëm. Gazeta gjermane “Bild” i kushtoi një artikull të gjatë, referuar burimeve të saj në Europol.
Në Kosta Rika kokaina po përzihet me pluhurin e një bime që quhet “juka”, përmes së cilës transporti bëhet në gjendje të ngrirë për në Europë. Juka është një bimë, rrënjët e së cilës përdoren si ilaç te njerëzit për pastrimin e zorrëve, ndërsa te kuajt dhe qentë shërben për problemet me kyçet. Pluhuri jukës përdoret edhe në industri të tjera. Ajo ka ngjashmëri si bimë me agavet e tekilës, pasi rrjedhin nga e njëjta familje “Agavaceae”. Qentë e policisë nëpër porte nuk mund të nuhasin kokainën e ngrirë në pluhurin e jukës. Europol pranon se për shkak të dendësisë dhe ngjyrës së produktit, kokaina nuk ishte zbuluar në skanerë, dhe gjendja e saj e ngrirë bëri të mos e zbulojnë edhe qentë antidrogë.
Zbulimi i kësaj metode të re të trafikut të kokainës erdhi gjatë hetimeve të autoriteteve spanjolle, portugeze dhe kostarikane, të një rrjeti kontrabande. Ato vunë re, një lidhje mes kompanive logjistike, krimit të organizuar në Kosta Rikë, blerësve në Portugali dhe Spanjë dhe prodhuesve të drogës në Kolumbi.
Për herë të parë monitorimi u bë në verën e vitit të shkuar në Portugali, ku u arrestuan 7 persona. Në fund të vitit u bastisën 13 vende të dyshuara në Spanjë dhe u arrestua një nga Republika Dominikane. Në pranverën e këtij viti u bllokuan 21 ngarkesa me gjithsej 5.4 ton kokainë, me vlerë rreth 350 milionë euro në Belgjikë, Gjermani, Holandë, Portugali dhe Spanjë. Një goditje e fortë, u realizua pak ditë më parë. Më 11 qershor në Kosta Rikë, u bastisën 20 banesa dhe magazina, duke arrestuar kreun e kartelit dhe 11 bashkëpunëtorë të tij.
Një tjetër mënyrë u zbulua në shkurt në një ngarkesë të madhe nga Brazili. Në tre kontejnerë, u gjetën fuçi me 3 ton kokainë në formë lëngu. Ishte maskuar si koncentrat lëngu frutash me vlerë rreth 170 milionë euro. Kokaina fillimisht shkrin në lëng dhe më pas, përmes një procesi kimik, ndahet përsëri nga lëngu me të cilin është përzierë.
Komente
