Pas tërmetit që goditi Mianmarin, Kombet e Bashkuara apeluan dje, për fonde shtesë prej 275 milionë dollarësh për të plotësuar nevojat e rreth një milion njerëzve në Mianmarin e prekur nga tërmeti.
Sipas mediave të huaja, programi i ndihmës humanitare u vlerësua më parë në më shumë se 1.1 miliardë dollarë, duke synuar të mbulojë nevojat prej 5.5 milionë euro për banorët si prioritet nga 19.9 milionë që kanë nevojë për ndihmë në të gjithë vendin.
“Nevojiten urgjentisht burime shtesë”, theksojnë Kombet e Bashkuara, për të plotësuar nevojat në rritje të popullsisë.
Sipas OKB-së, më shumë se 6.3 milionë njerëz kanë nevojë urgjente për ndihmë në zonat e Mianmarit që u goditën më rëndë nga tërmeti me magnitudë 7.7 që tronditi vendin më 28 mars. Kjo është dy milionë më shumë se ata që kishin nevojë për ndihmë para tërmetit, i cili vrau më shumë se 3,600 njerëz.
Në këtë kontekst, OKB-ja kërkon fonde shtesë prej 275 milionë dollarë për lehtësimin e 1.1 milionë banorëve të cenueshëm. Ndërkohë, Kina premtoi 137 milionë dollarë shtesë për të siguruar ushqime, ilaçe, shtëpi, si dhe për të paguar grupet e ekspertëve mjekësorë.
Tërmeti me magnitudë 7,7 ballë Rihter goditi Mianmarin qendror më 28 mars, në një thellësi prej 10 kilometrash. Ai u pasua pak minuta më vonë nga një pasgoditje me magnitudë 6,7 ballë. Instituti gjeozizmik italian, tha se goditja kryesore ishte 300 herë më e fuqishme se ajo e Amatrice në vitin 2016.
Komente
