Michel Platini ka folur hapur për periudhën më të errët të jetës së tij në një intervistë për 'La Stampa'. Legjenda franceze u lirua nga të gjitha akuzat për mashtrim së bashku me ish-presidentin e FIFA-s, Sepp Blatter, por pavarësisht pafajësisë, ai thotë se dëmi ishte i madh dhe i pakthyeshëm.
“Dola i pastër, por armiqtë e mi prapë fituan. Ata më vodhën 10 vjet nga jeta”, tha ish-presidenti i UEFA-s.
Platini (70 vjeç) theksoi se tani është shumë i vjetër për të menduar për ndonjë rikthim në poste drejtimi në futboll, duke kritikuar atë modern.
“Ndodhi kështu dhe jam mirë. Nuk e shoh. Nuk e kam parë kurrë të ardhmen si drejtues. Gjithmonë e kam pranuar fatin”, u shpreh ai me qetësi
“Gjithmonë kam parë lojtarin dhe lojën, kurrë pjesën tjetër. Ligji 'Bosman' vrau shpirtin e futbollit. Sot për të fituar duhet të kesh para. Shihni rastin e Manchester City dhe PSG-së, kjo tregon gjithçka”, tregoi ai mes të tjerash.
Fjalët e Platinit janë një përzierje reflektimi, zhgënjimi dhe pranimi, nga një figurë që për dekada ishte në zemër të futbollit europian; aty ku si futbollist fitoi tre 'Topa të Artë' në vitet 1983, 1984 dhe 1985 me Juventusin.
Komente
