Kryeministri grek Qiriakos Micotakis

Miço i Taqit, histori gazmore me kryeministrin grek dhe një urim që të mos berishizohet politika greke në Himarë

21 Gusht 2023, 17:16| Përditesimi: 21 Gusht 2023, 17:30

  • Share

Në fakt, e gjitha sa po ndodh në Himarë nuk është aq për të qeshur, por, mes nesh ka shqiptarë me të vërtetë me një sens të spikatur humori dhe ndoshta është pikërisht ky zhdramatizim që na karakterizon që na ka bërë të mbijetojmë ndaj shumë vështirësish. Nëpër opinionet e hedhura nëpër social media këto ditë të debatit për Fredi Belerin, varianti se “...kryeministri grek Qiriakos Micotaqis është me origjinë shqiptare ”, sikur i hedh ujë zjarrit të ndezur keq në këtë vapë. Autori, e shpjegon i bindur se mbiemri i kryeministrit vjen nga një formulë e njohur dikur në Shqipërinë e jugut: Miço i Taqit, siç thërrsinin shqiptarët njëri-tjetrin dikur, apo Bamka e Tanës, apo Taqi i Miços, ose Koço i Theodhorit etj.etj. dhe nga kjo... fëp lind Micotaqis. Nuk besojmë të jetë kjo origjina e kryeministrit të respektuar të vendit fqinj, por ama diçka alla shqiptare me politikën greke, po ndodh këto ditë.

Ku i shohim gjurmët alla shqiptare në këtë që po ndodh në Himarë? Ose më mirë, më shumë se gjurmët alla shqiptare, mund të themi gjurmët alla Meta-Berishë, të cilat, ne shqiptarët i njohim vetë shumë mirë.

Së pari, rreshtimi dhe marrja nën mburojë e Fredi Belerit qoftë si kandidat, qoftë pas arrestimit, nga kjo dyshe e vjetër, e korruptuar dhe e rrezikshme e politikës ballkanike. Vetëm vendosja e tyre në krah të të zgjedhurit si kryebashkiak të arrestuar për blerje votash, e bën historinë të denjë fillimisht për dyshim, më pas për hetim dhe investigim.

Së dyti, etja për pronat në Himarë. Eshtë një kohë delikate, kur ende në këtë zonë të lakmuar shqiptare nuk janë shpërndarë çertifikatat e pronësisë dhe ku pronarët përfundimtarë nuk dihet ende nëse do të jenë “Miçot e Taqit” apo “Micotaqis”, thënë në mënyrë simbolike; pra mbetet akoma për t’u parë. A mund të jetë kaq e etur politika greke për pak metra katrorë shqiptarë kur ka ishuj e gadishuj të pafundë në Jon dhe Egje? Etja për metra katrorë, për kulla, për vila, për gardhe, për çdo gjë që jeton e fluturon në Shqipëri duket një tjetër “ves” alla shqiptar.

Së treti, nxitimi për të intimiduar drejtësinë, politikën, njerëzit, duket një tjetër “huq” i disave që ne i njohim mirë këtej nga anët tona. Kërcënimi i Shqipërisë për Himarën, është më shumë një kanosje që pëlqehet të thuhet këtej nga anët tona. Nuk mund të jetë një taktikë e një vendi anëtar i Bashkimit Europian, siç është Greqia dhe politika e saj europiane.

Ndaj, duke shpresuar që të shërbejë rasti i Belerit si një model politike moderne dhe demokratike, urojmë të mos jetë e disata formulë e shfrytëzuar nga politika këtu: Bëjnë zhurmë nga jashtë, për të përfituar diçka “aleatët” e brendshëm. Dhe sidomos, do të ishte mirë që aletatët shqiptarë të “infektoheshin” nga politika europiane greke dhe jo grekët nga “aleatët” pronazhvatës dhe drejtësisulmes. Në Himarën e 2023 nuk ka “bashkëpunëtorë” me nazifashistët që të dëbohen apo t’u merren pronat.

a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • minushe: 22/08/2023 11:58

    e bukur tamam sjellje alla shqiptare :)

    Përgjigju
  • Besnate nga Akerrnia: 21/08/2023 22:45

    Eshte kjo shprehja që thotë"mbrojtja me è mirë është sulmi"edhe fqinjët tanë të mrekullueshëm ketë po bëjnë,para se ne ti ngacmojm për territoret shqiptare në Greqi,ata na sulmojnë të parët për Himarën që eshte zemra e Labërisë,kjo është e gjithë loja,e dinë edhe gurët!

    Përgjigju
  • Adi: 21/08/2023 19:06

    Bravo Alba

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?