MIE pengon shitjen e energjisë diellore, nuk cakton çmimin! 1620 subjekte s’po shesin tepricën: Ministria ka 6 muaj që s’miraton aktet nënligjore

23 Tetor 2023, 17:02| Përditesimi: 23 Tetor 2023, 17:10

  • Share

Bizneset që prodhojnë energji diellore, nuk arrijnë të shesin tepricën, dhe pengesë po bëhet Ministria e Energjisë e cila nuk ka hartuar metodën e caktimit të çmimit të shitjes.

‘Janë rreth 1260 subjekte që kanë instaluar një kapacitet prej 130 megavatesh në nivel kombëtar’, tha Gjergji Gjiko, përfaqësues i prodhuesve të energjisë diellore

Ligji i miratuar në mars të këtij viti për nxitjen e prodhimit të energjisë së rinovueshme, nuk po zbatohet sepse Ministria e Energjisë nuk ka hartuar metodologjinë se si do të caktohet çmimi me të cilin do tu blihet energjia këtyre subjekteve. Kjo metodologji duhet të miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe më pas ERE cakton çmimin final në përputhje me çmimet e tregut.

‘Ligji është aprovuar 24/2023, por ministria duhet të lëviz shpejtë pasi kanë kaluar 6 muaj dhe ende këto akte nuk janë bërë, sidomos për aktet e nenit 20 dhe 21. Çmimi për vetëprodhuesit nuk është caktuar, edhe pse është caktuar që në vitin 2017. Kjo dekurajon qytetarët për të investuar’, shtoi Gjiko.

Fatura e kripur e importeve të energjisë mund të ishte më e ulët nëse do të ishin miratuar aktet nënligjore që vënë në zbatim ligjin, pasi vetëprodhuesit me kapacitet maksimal prej 500 kilovat, përveç që do të konsumonin për aktivitetin e tyre, tepricën do mund t’ja shisnin shtetit ose ta ngarkonin në rrjet, në bazë të rregullave të caktuara nga ERE.

Madje në ligj është specifikuar që edhe në rastet kur duhet të kufizohet prodhimi i energjisë OST dhe OSSH duhet të kufizojnë fillimisht energjinë elektrike që vjen nga burime të tjera dhe më pas energjinë elektrike të prodhuar nga burimet e rinovueshme.

Në rast se ky ligj zbatohet përfitimet do të ishin të mëdha, pasi shteti do të harxhonte më pak për të importuar energji dhe prodhimi i brendshëm do të ishte më i lartë.

Po ashtu në ligj është specifikuar se do të ketë masa mbështetëse për këtë sektor me qëllim që të ulet varësia nga importet dhe të diversifikohet prodhimi i energjisë për të mos mbetur vetëm tek burimet hidrike.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?