Pamje nga samiti në BE

Emigrimi dhe azili temat qendrore të samitit të BE-së

9 Shkurt 2023, 21:42| Përditesimi: 9 Shkurt 2023, 21:54

  • Share

Në BE zhvillohet samiti dyditor, ku ndër tjerash do të trajtohet çështja e migrimit dhe azilit. Dallimet në qëndrime mes vendeve anëtare janë shumë të mëdha. Liderët e 27 vendeve të Bashkimit Evropian mblidhen në Bruksel këtë të enjte dhe të premte në një samit ku ndër të tjera do të bisedohet edhe për një prej temave më të vështira - çështjen e migrimit dhe azilit. Në këtë samit pritet edhe presidenti ukrainas Volodomyr Zelenski.

Lëvizjet në të djathtë

Këto ditë, një numër gjithnjë e më pak i qeverive evropiane janë të interesuara të hapin dyert për njerëzit që janë detyruar të ikin nga vendlindja, me përjashtim për rreth 8 milionë refugjatët ukrainas që kanë ikur në Evropë, nga të cilët rreth 4 milionë janë të regjistruar në vendet e BE-së. Nën kryeministren italiane të ekstremit të djathtë Giorgia Meloni, Roma ka shtrënguar rregullat për anijet humanitare të drejtuara nga grupe që shpëtojnë emigrantët në det, duke u kërkuar atyre që të kthehen në port menjëherë pasi të marrin emigrantët dhe të mos vazhdojnë të kërkojnë varka të tjera të rrezikuara në ujë dhe të mos i sjellin ato në territorin italian.

Kancelari konservator austriak Karl Nehammer po kërkon para nga BE-ja për të forcuar kontrollet kufitare. Suedia, mbajtësja aktuale e presidencës së radhës të BE-së, është e prirur të shtojë deportimin dhe dëbimin e atyre që nuk kanë të drejtë qëndrimi në vendet e BE. Polonia dhe Hungaria janë kritike të kahershme dhe të hapura të politikës liberale të migracionit dhe azilit. Danimarka ka një synim për të pranuar "zero" refugjatë.

Shtohen aplikimet për mbrojtje

Vitin e kaluar pati një rritje drastike të numrit të kërkesave për azil në BE. Sipas Komisionit Evropian, ishin 924.000 kërkesa të reja, ndërsa një vit më parë kishte "vetëm" 630.000 kërkesa për azil.

Në kulmin e krizës së refugjatëve ka pasur 1.3 milionë aplikime për azil, në vitin 2015. Por edhe shifrat e tanishme janë tepër të larta. Holanda dhe Belgjika kanë probleme të mëdha me organizimin e pritjes së refugjatëve dhe azilkërkuesve, e shumë prej tyre po detyrohen të flejnë në rrugët e Brukselit muajt e fundit. Komisioni Evropian ka kërkuar reforma gjithëpërfshirëse në sistemin e migracionit. Por mbetet të shihet sa do të pranohen këto propozime nga vendet anëtare.

"Koha e fundit” për veprim

Përpara samitit, një grup prej tetë shtetesh anëtare kanë paralajmëruar se është "koha e fundit" për një qasje evropiane ndaj çështjes së migrimit. "Migrimi i parregullt është bërë sërish një nga çështjet më urgjente në BE”, shkruajnë Austria, Danimarka, Estonia, Greqia, Letonia, Lituania, Malta dhe Sllovakia në një letër, të cilën e ka parë edhe gazetari i DW.

Konkretisht, këto vende kërkojnë ndër tjerash edhe kontrollin më të rreptë të kufijve të jashtëm të BE-së (me mbështetje nga fondet e BE-së), shtimin e dëbimeve për ata të cilëve u është mohuar azili dhe kërkimi i më shumë marrëveshjeve si ajo e arritur me Turqinë në 2016 për të rikthyer azilkërkuesit e refuzuar, në këmbim të fondeve të BE-së për të pritur refugjatët.

Duke mos pritur ndonjë përparim të shpejtë në paketën më të madhe të reformave, Komisioni Evropian ka propozuar më shumë masa afatshkurtra: rritje të bashkëpunimit me vendet e treta dhe mbështetje të largimeve për ata që nuk kanë të drejtë azili. Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen tha në një fjalim të fundit se shumica e aplikantëve nuk kanë të drejtë për mbrojtje dhe se vetëm 22% e atyre që u refuzuan janë kthyer në vendin e tyre të origjinës.

Kulaçi dhe kërbaçi

Liderët e BE-së duken të vendosur të mbështesin kthimin e azilkërkuesve të refuzuar dhe të dekurajojnë ata që nuk kanë të drejtë azili që të marrin këtë rrugë. Për këtë janë propozuar edhe disa masa konkrete, në shenjë lehtësimi të rrugëve legale, thuhet në draftin e propozuar për këtë samit. Ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser është shprehur kundër përdorimit të kërcënimeve. Për grupin e fushatës kundër varfërisë Oxfam, asnjë nga propozimet e paraqitura muajt e fundit nuk është krejtësisht i ri ose ndonjë zgjidhje reale. Ekspertja e migracionit të Oxfam, Stephanie Pope, tha për DW se ato duken si taktika diversioni.

Përdorimi i ndihmës për zhvillim është një "keqkuptim themelor se për çfarë shërben ndihma për zhvillim," tha ajo. Rekomandimet që të përdoren me prioritet në tregtinë me këto vende apo dhe ndryshimi i politikës së vizave për ato vende që pranojnë të riatdhesojnë personat që nuk kanë të drejtë azili... janë në thelb shantazh," tha Papa.

Nuk ka para të BE-së për gardhe të reja kufitare

Një temë e përsëritur që ka të ngjarë të ngrihet nga disa liderë këtë javë është çështja e parave nga buxheti i BE-së për ngritjen e gardheve kundër ardhjes së refugjatëve dhe azilkërkuesve. Kjo kërkesë zakonisht është hedhur poshtë nga Komisioni Evropian pavarësisht kërkesave të disa shteteve anëtare. Nehammer i Austrisë së fundmi bëri thirrje për 2 miliardë euro (2.1 miliardë dollarë) në fondet e BE-së për ngritjen e gardhjeve dhe pengesave në kufirin turko-bullgar. Në një intervistë me disa agjenci evropiane të lajmeve javën e kaluar, Komisionerja Evropiane për Çështjet e Brendshme Ylva Johansson tha se ajo nuk e beson se gardhet mund të shërbejnë mirë për zgjidhjen e problemit

Më shumë se 1.800 kilometra gardhe të reja kufitare u ngritën në kufijtë e jashtëm dhe të brendshëm të BE-së që nga viti 2014, sipas një raporti të fundit të Parlamentit Evropian. Pavarësisht ndërtimeve të reja, Frontex – agjencia e kontrollit kufitar – tha se ka pasur 330.000 kalime të paligjshme vetëm vitin e kaluar, 64% më shumë se një vit më parë.

Paniku i orkestruar?

Catherine Woollard, drejtore e Këshillit Evropian për Refugjatët dhe Mërgimtarët, tha se ka probleme serioze me sistemet e azilit të BE-së, por paralajmëroi politikanët kundër përhapjes së panikut. "Ata që tentojnë të gjenerojnë histeri duket se po anashkalojnë historinë më të madhe të vitit të kaluar: që BE-ja ishte në gjendje të menaxhonte zhvendosjen e 8 milionë njerëzve nga Ukraina”, shkroi Woollard në internet javën e kaluar. "Pse duhet që për 300.000 njerëz që kalojnë kufijtë të krijohet panik, kur ardhjet e miliona të tjerëve nuk e shkaktuan panikun?"/ DW

F.D/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?