MIK Festival ka mbyllur këtë të diel edicionin e tij të tetë. Nga 10-13 korrik, publiku përjetoi emocione të veçanta përmes muzikës dhe artit, në një seri koncertesh të mbajtura në vende të ndryshme të Korçës.
Një nga risitë e këtij viti ishte koncerti në hapësirën e Kishën e Shën Mhillit, në Vithkuq, një perlë arkitektonike dhe shpirtërore e zonës.
“Kanë qenë koncerte të mrekullueshme me më shumë se 100 artistë në skenë, me tema të ndryshme, gjuhë të ndryshme. Dashuria për muzikën nuk të tradhëton', tha sopranoja Inva Mula.
Organizatorët theksuan rëndësinë e përfshirjes së elementëve tradicionalë në festival pasi qëllimi ishte të promovohen vlerat kulturore dhe turistike të fshatrave përreth Korçës. Ushqime të zonës së Korçës, por edhe Pogradecit, si: bukëvale, pispili, bukë qiqre etj., por edhe veshje tradicionale u prezantuan në panairin që u mbajt në Vithkuq.
“Vithkuqi është një perlë, duhet promovuar. Ne i bashkangjitemi kësaj feste të bukur me plot njerëz dhe mendoj që Vithkuqi tani ta kthejë faqen, të bëjë turizëm. Sot gratë i kemi në dy panaire, ai te lulishtja e Themistokli Gërmenjit, ku gratë e Durrësit, Pogradecit, Tushemishtit, Voskopojës mblidhen në një netëork, jo vetëm për të ndarë eksperiencat, por edhe për të fituar. Këtu kemi bërë diçka tjetër. Pse të mos sjellim traditën e vjetër në tavoliant tona?”, tha organizatorja e panairit, Bajana Çeveli.
Sipas drejtueses së festivalit, sopranos Inva Mula, Vithkuqi është një nga fshatrat më të bukur të Korçës.
Pianistja Adelina Mula u shpreh se muzika kishtare që interpretoi për të dytin vit radhhazi në MIK mbetet një përjetim i thellë dhe me shumë vlerë për publikun shqiptar.
“Janë vepra shumë qiellore, të shkruara shumë shekuj më parë dhe na bëjnë mirë për shpirtin. Të arrish që të bësh pesë koncerte në një kohë kaq të shkurtër, me një intensitet të tillë, me cilësi është shumë e rëndësishme, jo vetëm për Korçën, por për Shqipërinë', tha pianistja Adelina Mula.
Një koncert me serenata në lulishten “Themistokli Gërmenji”, ku u bënë bashkë zërat e artistëve, tingujt e kitarës dhe instrumenta të tjerë ishte ai që mbylli festivalin në një mbrëmje karakteristike korçare.
Komente
