‘Mik Festival’ ul siparin në Korçë! Tenori Gjergji Mani rikthehet pas 15 vitesh: Emocion! Inva Mula: Ndodhi magjia e madhe

31 Korrik 2023, 16:15| Përditesimi: 31 Korrik 2023, 16:20

  • Share

6 koncerte të ndryshme plotësuan ‘afreskun’ e bukur të artit botëror duke sjellë një atmosferë feste në qytetin e serenatave në edicionin e 6 të Festivalit të Muzikës Internacionale, Mik Festival në Korçë.

Veprat kryesore të repertorit botëror erdhën në mbrëmjen e fundit të ‘Mik festival’, i cili u përmbyll me interpretimin e tenorit të suksesshëm në Rumani, korçarit Gjergji Mani dhe bashkëshortes së tij rumune, Lonela.

“Ndjeva një emocion tepër të veçantë duke u rikthyer pas 15 vitesh këtu në Korçë, në radhë të parë nga ana ime por edhe e bashkëshortes. Publiku na priti shumë mirë, muzika ishte speciale. Shpresoj që të gjithë të jenë larguar me një zemër të mbushur plot me melodi dhe dashuri.  Për mua ishte një mbrëmje shumë emocionante. Unë gjithmonë do të jem korçar”, tha Gjergji Mani.

Veç muzikës lirike shqiptare dhe muzikës së lehtë korçare, nata e fundit e festivalit ndërkombëtar u soll edhe në një skenë tjetër, tek sheshi i kishës së Ristozit në fshatin Mborje.

“Ndodhi magjia e madhe për arye se ishte një program vërtet ambicioz. Në momentin që filloi nata e oarë maratona jonë nuk po mbaronte dhe ne nuk kishim asnjë rrugëdalje tjetër vetëm ta çonim deri në fund. 6 edicione nuk janë pak pasi kanë marrë mbi 500 artistë dhe shumë kombësi. Por, premtojmë që do kemi edicionin e shtatë vitin që vjen”, u shpreh Inva Mula drejtuese e festivalit.

Orkestra frymore e Forcave të Armatosura nën drejtimin e maestros Elda Laro ka shoqëruar performancën e artistëve ndërsa fragmente muzikore janë interpretuar dhe nga klarinetisti Igli Tuga

Për tre netë me radhë  “Mik Festival” në edicionin e tij të gjashtë solli të ndërthurur muzika klasike me zhanre të tjera të muzikës duke i shtuar ngjyra dhe përfshirë çdo shije dhe moshë.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?