Mike Waltz

Bota

Skandali me bisedat në Signal, Trump shkarkon këshilltarin për sigurinë Waltz dhe e transferon në OKB! Detyra përkohësisht i kalon Rubios

1 Maj, 17:40| Përditesimi: 1 Maj, 22:38

  • Share

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Michael Waltz, në qendër të polemikave për shkak të çështjes së bisedave në aplikacionin Signal, largohet nga detyra. Ai është shkarkuar nga Donald Trump, së bashku me zëvendësin e tij, Alex Wong. 

Këtë e raportojnë mediat amerikane, duke cituar disa burime pranë Shtëpisë së Bardhë. Kështu bie, pas vetëm 100 ditësh nga inaugurimi, koka e parë e administratës Trump.

Waltz kishte humbur mbështetjen e presidentit dhe eprorëve të tij të lartë, pasi revista The Atlantic kishte zbuluar se një gazetar i saj ishte shtuar në një bisedë grupi në Signal. Wall Street Journal thekson se Trump fillimisht kishte refuzuar ta shkarkonte menjëherë Waltz, por privatisht kishte shprehur frustrim për atë që ishte kthyer në njërin prej rasteve të para madhore të sikletit për administratën e tij.

Sipas burimeve të përmendura nga e njëjta gazetë, Waltz kishte planifikuar të udhëtonte të martën drejt Michigan-it për mitingun e shënimit të 100 ditëve të para të mandatit të Trump, por presidenti i kishte kërkuar të mos merrte pjesë. Zyrtarë të lartë amerikanë, të cituar nga Wall Street Journal, kanë thënë se Waltz ishte përjashtuar nga debatet mbi vendimet kryesore, në veçanti fillimi i bisedimeve me Iranin mbi programin e tij bërthamor dhe ndërmjetësimi i një marrëveshjeje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës.

Me rastin e “Ditës Kombëtare të Lutjes” në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Donald Trump përmendi dhe lavdëroi publikisht disa anëtarë të kabinetit të tij, duke filluar me Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth, të cilin e përshkroi si “të jashtëzakonshëm” në punën e tij. Asnjë përmendje për Waltz.

Pasardhësi i mundshëm

Roli i Waltz mbeti pezull pasi në fillim të kësaj jave iu komunikua qartë se mandati i tij në krye të Këshillit për Sigurinë Kombëtare kishte përfunduar. Për zëvendësimin e tij u përmend emri i Steve Witkoff, sipërmarrës i pasurive të paluajtshme dhe mik i presidentit Donald Trump, i cili shërben si i dërguar i posaçëm për krizat ndërkombëtare. Megjithatë, Trump më pas njoftoi se detyra do të merrej përkohësisht nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio. Ndërkohë, Waltz do të emërohet ambasador i SHBA-së në OKB.

Rasti i bisedës në Signal

Çështja shpërtheu më 15 mars dhe u përhap në mbarë botën. Për shkak të një gabimi nga vetë Waltz, në një bisedë në aplikacionin Signal, ku flitej për bombardimin e objektivave të Houthi-ve në Jemen mes krerëve të sigurisë amerikane, ishte shtuar gabimisht drejtori i revistës The Atlantic, Jeffrey Goldberg.

“Bota mësoi pak para orës 14:00 më 15 mars se Shtetet e Bashkuara po bombardonin objektiva të Houthi-ve në gjithë Jemenin. Unë, në fakt, e mësova dy orë më herët. Dhe arsyeja pse e mësova më parë është sepse Pete Hegseth, sekretari i Mbrojtjes, më kishte dërguar një mesazh me planin e luftës në orën 11:44. Plani përmbante informacione të sakta për paketat e armëve, objektivat dhe kohën e operacionit,” – tregoi Goldberg, i cili u përfshi në mënyrë të pabesueshme në këtë ngjarje, kur numri i tij u shfaq në një grup të klasifikuar në Signal, ku ndodheshin shefi i Pentagonit, zëvendëspresidenti JD Vance dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

“Nuk mund të ishte e vërtetë,” ka treguar gazetari, i cili e rindërtoi ngjarjen duke filluar nga 11 marsi, kur mori një ftesë për t’u bashkuar në një chat nga dikush që prezantohej si Michael Waltz. Fillimisht dyshues nëse ishte me të vërtetë këshilltari për sigurinë kombëtare, Goldberg e pranoi me hezitim dhe zbuloi se kishte hyrë në një grup të quajtur “Houthi PC small group”, ku ndodheshin zyrtarët më të lartë të Pentagonit dhe sigurisë amerikane.

Për disa ditë, anëtarët e grupit, pa e ditur se drejtori i The Atlantic ishte mes tyre, shkëmbyen mesazhe të klasifikuara që përfshinin detaje të sakta për kohën e sulmeve, armët që do të përdoreshin, diskutime për moralin e trupave si dhe sulme verbale ndaj “Europës parazite.” Nuk ishte thjesht një grup për planifikim logjistik, por një hapësirë ku ndaheshin vendime mbi veprimet e ardhshme ushtarake.

Goldberg në fund vendosi të largohej nga chati dhe vetëm pas publikimit të artikullit të tij, gati dhjetë ditë pas ngjarjes, zëdhënësi i Këshillit për Sigurinë Kombëtare, Brian Hughes, pranoi këtë gafë të pabesueshme./ La Repubblica

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, a e keni vendosur për cilën parti do votoni?