I humburi Eraldo Muçi

Kronikë

Miku i Aleksandër Sadikajt prej dy javësh i zhdukur pa gjurmë, babai i Eraldo Muçit: Herën e fundit u pa në Sukth, s’kishte as konflikte dhe as borxhe!

2 Korrik, 14:41| Përditesimi: 2 Korrik, 15:18

  • Share

Teksa saga e hakmarrjes dhe luftës mes dy grupeve kriminale Sadikaj-Papa ka lënë të paktën pesë viktima në pesë vitet e fundit, duket se misteri për këto ngjarje dhe personazhet nuk ka të mbaruar.

Në Stacionin e Policisë Memaliaj, javën e fundit të qershorit ka depozituar denoncim një 73-vjeçar, për humbjen e djalit të tij Eraldo Muçi, 30 vjeç.

I moshuari nga fshati Bylysh i ka thënë efektivëve se i biri ishte larguar nga banesa që prej datës 15 qershor dhe nuk është kthyer më, kurse një javë pas denoncimit nuk ka ende asnjë informacion për fatin e të riut.

Por kush është Eraldo Muçi?

Emri i tij lidhet me Aleksandër Sadikaj, i riu nga Memaliaj, por që jetonte në kryeqytet dhe që u hodh në erë me bombë të telekomanduar tre vjet më parë, në një ekzekutim si në filma pranë TEG-ut, teksa udhëtonte me makinën e tij luksoze. Muçi mësohet se është miku i Sadikajt dhe njeri i afërt i tij. Në këtë pikë lindin edhe dyshimet për një ngjarje kriminale të mundshme, me motiv hakmarrjen, por Policia tregohet e rezervuar dhe nuk ka ende ndonjë të dhënë apo provë konkrete. Kërkimet për gjetjen e të riut po vazhdojnë, kurse prindërit apelojnë për gjetjen e djalit të vetëm.

Para se të zhdukej, Eraldo ka ndaluar tek ferma e kuajve të familjes Sadikaj dhe më pas ka udhëtuar drejt Durrësit. Për herë të fundit është parë në autostradën Tiranë-Durrës dhe prej aty ka humbur gjurmët. Familja ngre dyshime të forta se atij mund t’i ketë ndodhur ndonjë ngjarje e rëndë kriminale, për motive hakmarrje.

Babai i Eraldo Muçit ka folur për “Blu Tv”, ku ka dhënë edhe disa nga rrethanat e largimit, kur është parë për herë të fundit dhe dyshimet që ka tek ndonjë nga shokët që edhe mund ta ketë futur në kurth. Ai u shpreh se është shumë i shqetësuar dhe se i biri nuk kishte konflikte apo borxhe. Hera e fundit Eraldo sipas tij ishte parë në Sukth.

“Ishte e diela e 15 qershorit, në mbrëmje, foli në telefon me të ëmën, e pyeti ça po bënte. I tha se po hante bukë me qepë, ca qepë të vogla. E që atë dite, me sa dini ju, dimë edhe ne. Sherr në fshatin Bylysh nuk ka pasur, edhe borxh nuk ka pasur. Këto dyja janë kryesore, borxhi dhe zënia, kaq. Pastaj, pas një jave bëra denoncimin në Memaliaj, kam vajtur 4-5 herë atje, bëra denoncimin, dokumentat, nuk kemi asnjë informacion deri tani. Asnjë sinjal, se është i gjallë, se është i vdekur, ai është evlati im. Kam tre fëmijë. Nuk kishte asnjë problem, asnjë shqetësim. Kur është nisur, që ka ikur, është parë në Durrës, ka çuar makinën te karburanti i Sukthit, e la 3-4 ditë atje, vete ia merr një shok dhe e ka çuar te shpia. Kishte makinën e tij djali”, shprehet i moshuari.

Më tej thotë se i biri kishte shokë në disa vende dhe kërkonte që t’ia kthenin në shtëpi, pasi ka 17 ditë pa gjumë.

“Ai ka shokë në çdo vend, në Memaliaj, Tepelenë, Durrës, kudo. Mund të jetë nonjë shok i mirë, por mund të jetë ndonjë që i futi thikën dhe hajt ta gjej. Këto dyja janë. Jemi shumë të shqetësuar. Kam 17 ditë pa gjumë, jam e i moshuar 73-74 vjeç, po ça të bëjmë. Djali është 30 vjeç, ishte pa punë, kur i dilte ndonjë punë shkonte. Kisha një kredi në shtet, ato po ia laj unë. Nuk e di, kush e pa tek e pa, vetëm Zoti e pa atë punë. Atij që e ka parë, shokut i them të ma sjellë djalin në shtëpi”, shprehet babai.

Edhe Policia e Gjirokastrës ka bërë një njoftim të shkurtër pas ngjarjes.

“Më datë 24.06.2025, në Stacionin e Policisë Memaliaj ka kallëzuar shtetasi S. M., 73 vjeç, banues në fshatin Bylysh, se djali i tij, shtetasi E. M., 30 vjeç, është larguar nga banesa, më datë 15.06.2025. Punohet për gjetjen e tij. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme”, njoftonte policia pas denoncimit të babait të të riut.

30-vjeçari i zhdukur pa gjurmë, njihej si një nga miqtë e besuar të Aleksandër Sadikaj, ky i fundit i thirrur edhe me pseudonimin “Sanço” dhe që dyshohet se u vra në atë atentat me bombë të telekomanduar për shkak të humbjes apo vjedhjes së një sasie të madhe droge në linjën Shqipëri-Greqi gati një dekadë më parë. Anëtarët e tjerë të grupit dyshonin se Sadikaj qëndronte pas humbjes së mallit me dëm financiar të konsiderueshëm dhe kjo solli më pas sagën e përgjakshme mes dy palëve që më parë kishin qenë pjesë e një organizate.

Sadikaj u ekzekutua në qershor të 2022, në një atentat mafioz në afërsi të rrethrrotullimit të TEG, ku automjeti i tij shpërtheu nga një sasi e madhe tritoli që ishte vendosur në të.

Pas kësaj ngjarje, mes grupit të tij dhe grupit kundërshtar pati disa krime të rënda. U vra në Tiranë biznesmeni Edmond Papa. Kushërinjtë e Sadikajt, Adriatik Kalemi e Zamir Kalemi iu mbijetuan të paktën dy atentateve mafioze në Greqi e Tiranë. Më pas u shënua ajo që njihet si masakra e Memaliajt, ku u vra Shyqyri Kalemi, babai i Adriatik e Zamir Kalemit dhe dy persona të tjerë, kamarieri dhe një klient i lokalit.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se Shqipëria do bëhet anëtare e BE-së më 2030?