Gianni Infantino, kreu i FIFA-s

Sport

Milan - Como dhe ndeshjet jashtë vendit, Infantino: Një rrezik, nevojiten rregulla për t'i mbrojtur të gjithë

9 Tetor, 14:31| Përditesimi: 9 Tetor, 14:49

  • Share

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, trajtoi disa çështje aktuale në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Klubeve të Futbollit Evropian (EFC) në Romë.

Së pari, ai foli për tensionet rreth ndeshjes të së martës midis Italisë dhe Izraelit në Udine.

"I shqetësuar për protesta të mundshme? Tani ka një armëpushim. Të gjithë duhet të jenë të lumtur për këtë dhe të gjithë duhet ta mbështesin këtë proces. Mendoj se kjo shkon përtej futbollit", tha ai.

Nga ana tjetër, Infantino nuk duket shumë i kënaqur me eksperimentin me ndeshjet e Serie A dhe La Liga jashtë vendit. FIFA, pas miratimit të UEFA-s, po pret miratimin nga CONCACAF (për Villarreal - Barcelona në Miami) dhe AFC (për Milan - Como në Perth të Australisë) përpara se të marrë një vendim.

Presidenti i organit drejtues të futbollit botëror paralajmëron: "Është vetëm një ndeshje midis dy ligave, por mendoj se nevojitet një qasje më globale. Çështja e ndeshjeve të ligave jashtë vendit duhet të rregullohet, sepse kjo nuk i ndihmon askujt.

Ne kemi një strukturë që parashikon ndeshje në nivel kombëtar, kontinental dhe më pas global. Dhe është kjo strukturë që e ka bërë futbollin sportin numër një në botë. Nëse duam ta thyejmë këtë strukturë, rrezikojmë shumë. Megjithatë, nëse duam ta rregullojmë atë, atëherë duhet të thellohemi më shumë në këtë çështje.

A duam që të gjithë të luajnë kudo dhe të bëjnë atë që duan? FIFA është mjaft e vendosur për këtë çështje. Ne kemi nevojë për një sistem të rregulluar që merr parasysh interesat e të gjithëve", tha Infantino.

Një nga pikat kryesore në axhendë është kalendari ndërkombëtar.

"Nuk ka të bëjë vetëm me Kupën e Botës 2034 në Arabinë Saudite. Është një reflektim i përgjithshëm. Edhe të luash në disa vende evropiane në korrik është shumë, shumë e nxehtë. Ndoshta duhet të mendojmë se cilët muaj janë në të vërtetë më të mirët për të luajtur futboll.

Qershori, përshembull, i cili zakonisht është muaji ideal, nuk përdoret shumë në Evropë. Pra, ndoshta ka mënyra për të optimizuar kalendarin. Por po e diskutojmë dhe do ta shohim kur të arrijmë në një përfundim. Thjesht duhet të mbajmë mendjen hapur", tha mes të tjerash presidenti i FIFA-s, Infantino.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kushtetuesja pezullon dekretin për zgjedhjet në Tiranë, si e vlerësoni?