Milan duket se këtë sezon nuk njeh rival në Seria A. Kjo pasi ‘djalli’ për llogari të javës së tetë ka mposhtur 1-3 Napolin falë një Ibrahimovic-i të papërmbajtshëm që në këtë sfidë realizoi ‘dopietë.
Në ‘San Paolo’ u desh të vinte minuta e 20 për të parë golin e parë. Një kros i Hernandez u shfrytëzua mjeshtërisht nga Ibrahimovic, i cili me kokë e bëri të kotë hedhjen e Meret. Ndërkohë që pritej barazimi nga Napoli, Milan në pjesën e dytë dyfishoi sërish me Ibrahimovic, që është njeriu i momentit në Seria A, pasi në tetë ndeshje ka realizuar 10 gola.
Më tej Napoli ngushtoi përkohësisht me Dries Mertenes, por një karton i kuq për Bakayoko-n i preu krahët napolitanëve. Në fund pati vend edhe për një gol të talentit Hauge, që stampoi shifrat përfundimtare. Pas tetë ndeshjesh Milan mban vendin e parë në Seria A me 20 pikë, por lajmi i keq është dëmtimi i Ibrës që doli duke mbajtur këmbën në minutën e 79.
Ndërkohë në Premier League Liverpool-i s’e ka diskutuar fitoren kundër Leicester, duke ia dalë 3-0. Fillimisht sfida u zhbllokua nga një autogol i Jony Evans, ndërsa më pas Jota realizoi para se të mbyllej pjesa e parë. Në të dytën gjeti rrugën e rrjetës edhe braziliani Firminho.
Në La Liga fitorja kundër Cadiz, i ka dhënë kreun e kampionatit Real Sociedad. Pas 10 ndeshjesh ata kanë grumbulluar 23 pikë, 3 më shumë se Atletico Madrid e vendit të dytë që ka dy ndeshje më pak.