Sport

Milani e Roma bëjnë goleada në Serinë A, Leo Messi debuton me PSG në festën e Mbappe

30 Gusht 2021, 09:46| Përditesimi: 30 Gusht 2021, 10:25

  • Share

Milani shkëlqen në “San Siro” duke fituar edhe ndeshjen e dytë të Serisë A për edicionin e ri. Kuqezinjve u ka mjaftuar vetëm një pjesë loje për të likuiduar Cagliarin duke fituar 4-1 përballë tifozëve dhe ngjitet me 6 pikë të plota në klasifikim. Sandro Tonali zhbllokoi rezultatin me një gol të bukur nga goditja e dënimit dhe më pas shënoi Leao dhe francezi Olivier Giroud realizoi një dygolësh fantastik në minutat 24 dhe 43. Deiola kishte barazuar përkohësisht për miqtë. Dy ndeshje dhe dy fitore për Milanin që bën tifozët të ëndërrojnë.

Edhe Roma e Mourinhos është me pikë të plota.Verdhekuqtë fituan me goleadë edhe ndeshjen e javës së dytë nga Salernitanës në transfertë. Roma triumfoi 4-0 ku çdo gjë ndodh në pjesën e dytë. Lorenzo Pellegrini shënoi dy herë dhe nga një gol e shtuan Veretout e Abraham.

As Napoli nuk gaboi dhe në transfertë mposhti Genoan 2-1 duke iu bashkuar grupit të skuadrave me nga 6 pikë. Golat për skuadrën e Spalletit i shënuan Fabian Ruiz e Petagna.

Ndërkaq në Francë Leo Messi debutoi me fanellën e PSG-së. Ylli argjentinas u fut në fushë në minutën e 66-të duke zëvendësuar shokun e tij Neymar. Megjithatë njeriu i ndeshjes ishte Kylian Mbappe që shënoi të dy golat në fitoren 2-0 të PSG-së ndaj Reims. PSG-ja i ka fituar të katërta ndeshjet e luajtura deri tani në ligën e parë franceze.

Përgatiti Andi Kapxhiu

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?