KINË, Hong Kong - Milani fitoi 2-4 kundër Liverpoolit në stadiumin 'Kai Tak Sports Park' të Hong Kongut. Mes 50 mijë të pranishmëve, një homazh kishte edhe për Diogo Jotën, ish-sulmuesin portugez të Liverpool i cili u nda nga jeta së bashku me të vëllanë më 3 korrik pas një aksidenti me makinë.
NDESHJA - Përballja në Kinë nisi me Milanin në kërkim të golit. Pas vetëm dhjetë minutash të besuarit e Allegrit gjetën golin dhe për këtë u kujdes Leao. Portugezi mori një pasim nga Pulisic dhe kapi në kundërsulm të pavendosur prapavijën e kuqe. E majta diagonale e Leaos u ndal pas krahëve të Alisson, ndërsa goli ishte një dedikim për Jotën.
Pas golit të pësuar Liverpool e mori veten dhe në minutën e 26-të Szoboszlai shënoi një supergol klasi duke vendosur ekuilibrat. Pjesa e parë u mbyll 1-1, ndërsa fraksioni i dytë nisi me nëntë ndryshime te Liverpool.
Diçka e tillë i dha hov Milanit që gjeti golin e dytë me Loftus-Cheek në minutën e 52-të, me asist të Leao. Sërish portugezi "gatoi" golin e tretë nga Okafor në minutën e 60-të. Për t'u përmendur se Liverpool goditi edhe traun e portës, para se Gakpo të shënonte golin e dytë në shtesë. Në sekondat e fundit, një gafë e mbrojtjes së Liverpool i dha mundësinë Okafor që të shënonte golin e katërt të ndeshjes dhe të dytin personal.
Me rezultatin 2-4 Milani i jep suksesin e parë Max Allegrit pas rikthimit në stolin e "Djallit", ndërsa sfida e verës ishte një miqësore luksi për tifozët. Te Milani debutoi Estupinian, ndërsa nga ana tjetër, Wirtz në pjesën e parë tregoi se jo më kot Liverpooli shpenzoi 140 milionë euro për të. Pas humbjes 1-0 në miqësoren kundër Arsenalit, Milani kundërpërgjigjet më së miri.
Komente
