TIRANË- Edhe pse me shumë vështirësi Milani është skuadra e parë e kualifikuar për në çerekfinalet e Kupës së Italisë. Në mbrëmjen kur Ibrahimovic u kthye në fushë për të luajtur një pjesë loje pas 51 ditësh dhe me lojtarët më pak të aktivizuar deri tani kryesuesit e Serisë A nuk shënuan dot në 120 minuta lojë që u mbyllën pa gola. Tek penalltitë Milani u tregua perfekt pasi i shënoi të pesta penalltitë ndërsa heroi ishte portieri Tatarusanu që priti penalltinë e Rincon dhe i dha kualifikimin kuqezinjve ndaj Torinos me rezultatin 5-4 pas penalltive.
Manchester United merr e vetme kryesimin e Premier League. Pas plot 8 vitesh “Djajtë e kuq” janë të vetëm në komandë pasi fituan 1-0 në transfertë ndeshjen e prapambetur ndaj Burnley. Vendosi një gol i bukur i Pogba.
Ndërkaq Atletico Madrid bën prova arratie në kryesimin e La Ligas në Spanjë. Skuadra e Diego Simeones fitoi pastër 2-0 ndaj Sevillas në Madrid ndeshjen e prapambetur të javës së parë dhe ngjitet në kuotën e 41 pikëve katër më shumë se Real i vendit të dytë. Golat janë shënuar nga një për pjesë me autor Correa dhe Saul./Përgatiti Andi Kapxhiu